Mediat: Zgjedhja e Nikoliç tërmet zgjedhor për Serbinë

Mediat botërore e konsiderojnë zgjedhjen president të Serbisë të ultranacionalistit serb Tomisllav Nikoliç si një tërmet zgjedhor për Serbinë.
Ato ngrenë pikëpyetje për atë se çfarë do të ndodhë tani e tutje në raportet me Kosovën dhe perspektivën evropiane të Serbisë, për të cilën ishte angazhuar ish-presidenti, Boris Tadiç, i cili pranoi të dielën mbrëma humbjen ndaj kundërshtarit të tij, Tomisllav Nikoliç, lideri i Partisë Përparimtare Serbe, informon RTK.
President i ri i Serbisë Tomisllav Nikoliç mundi në raundin e dytë në balotazh Boris Tadiç, i cili e pranoi humbjen duke i uruar fitoren korrekte rivalit të tij.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi pati një pjesëmarrje shumë të ulët të votuesve.
Kutive të votimit iu drejtuan mbi 45 për qind e serbëve në Serbi, ndërsa në Kosovë sipas të dhënave të OSBE-së vetëm 23.58 për qind.
Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, i ka thënë “Zërit” përmes telefonit se i tërë procesi ka nisur më mirë sesa në raundin e parë më 6 maj, dhe deri në fund ka vijuar pa kurrëfarë problemi.
Sipas të dhënave paraprake të “CeSid”, Boris Tadiç humbi garën për President të Serbisë me një diferencë të ngushtë prej pothuajse 4 për qind të votave.
Ish-presidenti Boris Tadiç i uroi fat në detyrë presidentit të sapozgjedhur Nikoliç, duke nënvizuar se do të ketë përpara një detyrë të vështirë.