E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat angleze harrojnë arbitrin dhe akuzojnë ekipin

LONDER- Mediat angleze përkundër asaj që pritej, kanë fajësuar më shumë futbollistët dhe trajnerin Kapelo për disfatën 4-1 ndaj Gjermanisë, në të tetat e finales të Kupës së Botës.
Gazetat kryesore në Angli nuk e kanë pranuar paraqitjen e dobët të dhuruar nga Tre Luanët, të cilët të paktën në letër niseshin si favoritë. “E latë vendin të binte”, ishte titulli i madh i The Sun, që i ka kushtuar 9 faqe ndeshjes së Anglisë. “Nëse ushtarët tanë do të ishin mbrojtur kaq keq, sot do të flisnim gjermanisht”, titullon Daily Mail, referuar beteja anglo-gjermane në luftën e dytë Botërore. “Mbyllet epoka e Gjeneratës së Artë. Botërori mbaron ashtu siç nisi, me një katastrofë”, shkruhet në komentin e Daily Express.

The Guardian gjithashtu flet për fundin e brezit të artë, me futbollistë si Stiven Xherard apo Frenk Lampard, që nuk arritën dot t’i jepnin një trofe Anglisë. Mirror Sport merret me Fabio Kapelon, duke e quajtur atë trajnerin që fiton 6 milionë stërlina në vit, por që në të vërtetë nuk vlen as një peni. Italiani kritikohet për besimin e verbër ndaj Emil Heskit apo për lënien në shtëpi të Teo Uolkot.
Daily Telegraph ndërkohë nuk e quan justifikim golin e mohuar, ndërsa flet për një poshtërim nga ana e gjermanëve.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›