Mediat angleze kundër Kapelos: Trajnerit i kanë mbaruar idetë
Marrëdhënia ndërmjet përfaqësueses angleze dhe tifozëve ka marrë një krisje: pas barazimit me Algjerinë nuk munguan fërshëllimat për të besuarit e Fabio Kapelos, që është cilësuar nga mediat britanike si një skuadër “pa forcë, shpejtësi dhe fantazi”. Ka mjaftuar vetëm një javë dhe dy ndeshje në Kupën e Botës 2010, që vlerësimi për punën e trajnerit italian të ndryshonte. Kjo edhe për faktin se në fillim “Tre Luanët” cilësoheshin si pretendentë për të fituar trofeun, ndërsa tashmë ata rrezikojnë të mos e kalojnë fazën e grupeve. “Një Angli që të trishton bllokohet nga Algjeria modeste”, ishte titulli i “The Times”. Kjo gazetë theksonte se “Anglia mbyti veten dhe nuk ishte faji i algjerianëve. Mendohej se Kapelo ishte ‘kura’ e përshtatshme, por tashmë besimi te skuadra nuk ekziston”. “Daily Star” titullonte: “çfarë torture”, duke nënvijëzuar se tashmë Anglia duhet të mposhtë Slloveninë, ndërsa “Daily Mail” shkruante: “Cilësia e lojës nuk ka ndryshuar. Anglia mbetet një skuadër nga e cila pritet shumë, por që arrin pak. Ekipi u shfaq inekzistent nën drejtimin e një trajneri që dje (pardje) u duk se i kishte përfunduar idetë”. Ndërkohë, tabloidi “The Sun” i kërkoi falje Sven-Goran Eriksonit. “Erikson ka arritur vetëm tri çerekfinale. Duhet t’i kërkojmë falje, sepse rezultatet nën drejtimin e tij po shndërrohen në më të mirat që përfaqësuesja angleze ka arritur në 40 vitet e fundit”.
#