E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, sulmohet TV, Asad: Jemi në luftë të vërtetë

Një televizion proqeveritar në Siri është sulmuar dje nga persona te armatosur. Nga sulmi humbën jetën shtatë persona dhe pati dëme të konsiderueshme materiale. Televizioni shtetëror i Sirisë ka transmetuar pamje të dëmeve të mëdha të studiove të kanalit satelitor Al-Ikhbariya në rrethinat e Damaskut. Redaksia e lajmeve në këtë televizion u hodh në erë vetëm pak orë pasi Presidenti Bashar Al Assad deklaroi se Siria ndodhej në një gjendje të vërtetë lufte dhe të gjithë politikat në çdonjërin sektor duhet të përqendroheshin te fitorja. Asad hodhi poshtë thirrjet nga vendet perëndimore që të tërhiqet, duke thënë se Perëndimi merr dhe asnjëherë nuk jep dhe kjo është dëshmuar në secilën etapë. Kombet e Bashkuara e kanë akuzuar ushtrinë e Sirisë për vrasjen e më shumë se 10 mijë njerëzve gjatë 16 muajve të kryengritjes, që paraqet kërcënimin më të madh për katër dekadat e sundimit të familjes Asad në këtë vend. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin mbi televizionin proqeveritar në Siri. I dënojmë të gjitha aktet e dhunës, përfshirë ato që në shënjestër kanë elemente proqeveritare, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›