E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Numëruesit të tregojnë përgjegjësi maksimale deri në fund të procesit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se rezultatet e këtyre zgjedhjeve konfirmojnë Partinë Demokratike në pushtet. Kreu i qeverisë u shpreh se vendi ia doli të nxjerrë partinë fituese edhe njëherazi plotësoi të gjitha standardet. 

“Më lejoni pak të shijoj fitoren pararezultative. Më lejoni ta shijoj, ua them me bindjen më të thellë, ka qenë qëllim madhor i jetës sime, ndjehesha i lënduar, ne që e nisëm, e nisëm këtë të votonim si njerëz, me të gjitha standardet. Jam i lumtur, nuk them që ishin perfekte, por ama kishin standarde unike në botë, siç ishte numërimi me kamera. I keni parë, kudo në numërime bëhen sherre, unë jam tani në fazën e shijimit të kësaj fitoreje të madhe, pastaj motoja ime është se s’ka të humbur, nuk i them me dy mendje këto gjëra”, tha kryeministri.

Berisha u shpreh se nga këto zgjedhje Shqipëria mori përgëzimet më të mira nga miqtë e mëdhenj, kryesia e Bashkimit Evropian përshëndeti qytetarët shqiptarë dhe zhvillimin e zgjedhjeve; Komisioni i Helsinkit të kongresit të Shteteve të Bashkuara përshëndeti zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. 

“Siç kisha deklaruar, në këto zgjedhje nuk ka të humbur, në këto zgjedhje Shqipëria ka fituar në mënyrën më të merituar, më të shumëpritur, në mënyrën më dinjitoze. Kur fiton vendi, qytetarët vetëm fitojnë, ndaj dhe unë konsideroj këto mesazhe si mesazhet më të rëndësishme që ky vend ka marrë ndonjëherë, sepse siç e dini, ne shqiptarët kishim krijuar një problem të pamerituar në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme në tërësi, dhe zgjedhjeve të tjera”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje të gjithë komisionerëve në të gjitha zonat e vendit,  numëruesit që e kanë tërësisht në dorë të tyre procesin, të tregojnë përgjegjësinë më maksimale, te respektojnë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. 

“Ky është apeli im për çdo zyrtar të piramidës zgjedhore të vendit, të respektohet ligji dhe vetëm ligji, nuk ka të humbur në këto zgjedhje, kanë fituar të gjithë qytetarët shqiptarë. Një lak që na vinte nëpër këmbë, e hoqëm, e lamë mënjanë. Tani, në këto kohë që kanë mbetur, të gjithë ata që kanë procesin në dorë të tyre, duhet të jenë në lartësinë morale dhe ligjore që ky proces kërkon. Ky është qëllimi për të cilin, unë jam sot para jush”, theksoi më tej, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, të cilët ju referoheshin edhe vlerësimeve të ndërkombëtarëve për standardet, Berisha ju përgjigj pyetjes në se do t’i hapet rruga Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim në BE?

“Unë besoj se ne bëmë atë që na takonte, nuk kam asnjë dyshim, asnjë arsye të dyshoj në disponibiletin e plotë të BE për të pasur dyert e hapura për Shqipërinë.  Natyrisht, unë them se s’kanë qenë vetëm zgjedhjet, por edhe referendumi në Irlandë dhe është normale se ky referendum vendos për fatin e një dokumenti themelor për BE. Unë kam mirëkuptim të plotë, më duket çudi, sepse çdo stimul negativ në drejtim të zgjedhësve irlandezë duhet shmangur, se ai është në interes, si të atyre që bëjnë pjesë në BE, ashtu dhe i yni që synojmë të ecim më të sigurt drejt BE-së”, ishte përgjigja e Berishës ndaj interesimit të gazetarëve. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›