“Mediat e kontrolluara nga Edvin Rama, ‘vrasëse me pages뒔

Kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi padit penalisht Gazetën Shqiptare
Shpifjet dhe trillimet e medieve të kontrolluara nga opozita, po arrijnë përtej normalitetit dhe të zakonshmes, teksa nisur nga funksionet dhe përgjegjësitë politike të një përfaqësuesi, sajojnë fraza nga më të ulëtat thjesht e vetëm, me synim të dëmtojnë imazhin. Kësisoj, një e përditshme e kontrolluar kokë e këmbë nga kryesocialisti Edi Rama, hapi faqen e djeshme me një titull dhe shkrim abuzues, shpifje dhe gënjeshtra ndaj një prej funksionarëve të lartë të Partisë Demokratike, deputetit dhe kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozi.
Deputeti i PD-së, duke reaguar ndaj shpifjeve dhe trillimeve, paralajmëroi se do tu drejtohet organeve gjyqësore, për të ngritur padi ndaj medias që kontrollohet në tërësi nga e majta dhe në veçanti nga Edi Rama. Gjithashtu, Patozi i bën me dije opinionit publik se ato që thuhen në shkrimet e gazetës, për lidhje intime të tij me një prej përfaqësueseve mediatike të PD-së, janë shpifje të cilat kanë si prapavijë funksionet politike që ai mbart. Deputeti i PD-së tha se do të denoncojë në gjykatë për shpifje dhe trillime të përditshmen “Gazeta Shqiptare”, e cila sipas tij, i ka lejuar vetes luksin të keqpërdoret mizorisht. “Gjatë gjithë aktivitetit tim publik, që nga viti 1991 e deri më sot, nuk kam menduar kurrë se do të vinte një ditë që do t’i drejtohesha gjykatës për një organ shtypi apo gazetar. Por më duhet të pohoj, pa asnjë keqardhje, se e ndjej të moralshme dhe jam i detyruar që ta bëj këtë. ‘Gazeta Shqiptare’ i ka lejuar vetes të keqpërdoret mizorisht, duke botuar dje trillime të paskrupullta, të cilat më referohen mua. Sqaroj publikun se gjithçka thuhet në ato radhë janë shpifje dhe vetëm shpifje të paskrupullta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë si prapavijë të tyren një sulm të ulët, që ka lidhje me funksionet e mia politike”, u shpreh Patozi.
Deputeti i Partisë Demokratike, i bëri thirrje të përditshmes dhe drejtuesve të saj që të botojnë përgënjeshtrimin.
“Duke hedhur poshtë me neveri të pavërtetat e ‘Gazetës Shqiptare’ i kërkoj asaj, që në përputhje me etikën më elementare të shtypit, të botojë këtë përgënjeshtrim në të njëjtën vend dhe hapësirë si në numrin e djeshëm”, tha Patozi.
Nisur nga përvoja e tij personale disa vjeçare në media, është rasti më flagrant i keqpërdorimit të lirisë në gjithë historinë e shtypit shqiptar. Patozi e konsideron ngjarjen si një precedent i rrezikshëm, e cila rrezikon përhapjen e një epidemie të gjerë shpifjesh dhe trillimesh.
“Si një prej gazetarëve me përvojë të gjatë në këtë vend mund të them pa mëdyshje se ky është rasti më flagrant i shpërdorimit të lirisë në të gjithë historinë e shtypit shqiptar. Duke ruajtur të paprekur konsideratën më të lartë për fjalën e lirë, për misionin e shtypit dhe për profesionin e nderuar të gazetarit, e konsideroj ngjarjen si një precedent të rrezikshëm dhe ogur të keq që mund t’i hapë rrugë një epidemie të panjohur më parë në gazetarinë e shkruar shqiptare”, tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar dhe deputeti i PD-së, Astrit Patozi, nënvizoi se do t’i drejtohet gjykatës, për tu dhënë një mësim të qartë të gjithë mercenarëve, të cilët si kënaqësi për të përmbushur interesat primare të tyre, kanë të ndëshkojnë jetën dhe lirinë e tjetrit.
“Do t’i drejtohem Gjykatës, i bindur se nuk do të kem përballë asnjë gazetar, por një apo më shumë keqbërës ordinerë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me principet e shenjta të shtypit të lirë. Dhe këtë do ta bëj, jo i nxitur nga motive personale, por i bindur se duhet dhënë një mësim për të gjithë ‘vrasësit me pagesë’, që mund të shkrehin sërish armët dhe të cenojnë pa u ndëshkuar jetën dhe lirinë e tjetrit”, theksoi deputeti demokrat.
Në vijim të reagimit, Patozi shtoi se përgjegjësitë dhe funksionet e tij politike nuk do të cenohen aspak nga shpifjet e medias, e cila vepron dhe sulmon imoralisht sipas porosive nga “lart”.
“Më duhet të konfirmoj se, pavarësisht dëshirës apo pritshmërisë së porositësve dhe autorëve të shpifjes, unë do të vazhdoj i qetë dhe i vendosur të ushtroj me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi funksionet e mia publike”, u shpreh Patozi.
Është bërë në modë tashmë që mediat e kontrolluara nga Edi Rama, të tentojnë të nëpërkëmbin dinjitetin personal apo edhe atë familjar të një përfaqësuesi të lartë të PD-së apo mazhorancës. E gjithë kjo bëhet nga tendencat e Edvinit dhe medieve të kontrolluara prej tij, në mënyrë që të përfitojnë kapital të pandershëm politik.