E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpritet tentativa për të hedhur themelet e një korrupsioni shumëkatësh

Ministria e Punëve Publike shpëton një hapësirë publike nga betonizimi

U desh ndërhyrja e shpejtë e Ministrisë së Punëve Publike që, një hapësirë shtetërore në qendër të Tiranës, të shpëtonte nga betonizimi i mafies së ndërtimit, të lidhur ngushtë në mënyrë klienteliste me kryebashkiakun Edi Rama.
Angazhimi personal i ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, për t’ua kthyer qytetarëve si parcelë të gjelbëruar dhe argëtimi atë tokë shtetërore, ka ndeshur në qëndresën e bashkisë së Tiranës, e cila në kohë rekord ka kryer të gjitha falsifikimet e mundshme, për ta faktuar truallin si tokë private dhe me pronar legjitim. Por, pak kush mund ta besojë një shqetësim të tillë, aq më tepër nga bashkia e Tiranës, e cila vetëm për interes qytetar nuk kujdeset, pa vënë në kryeradhë aferat, ryshfetet dhe favoret klienteliste të Edi Ramës dhe mafies së ndërtimit. E kthyer në ditët e fundit në një temë të shumë diskutuar, gropa që gjendet ndërmjet “Rrugës së Durrësit” dhe “Kavajës”, përfundimisht u është kthyer qytetarëve, duke i “prerë” rrugën kështu ndërtimit të një pallati shumë katesh. Këtë e denoncoi ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili gjatë një konference për shtyp dje, sqaroi trumbetimin mediatik të kësaj hapësire, tokë shtetërore.
“Në mënyrë të paligjshme aty patën filluar përpjekje për ndërtimin e një shumëkatëshi, klient të afërt të kryetarit të bashkisë, Edi Rama”, u shpreh Olldashi.
Ai denoncoi tentativat e kryebashkiakut Rama, i cili synon të mbrojë gropnë ku parashikon të hedhë themelet e një korrupsioni shumëkatësh.
“Prej dy ditësh kryetari bashkisë po përpiqet me çdo kusht të mbrojë gropën ku parashikon të hedh themelet e një korrupsioni shumëkatësh. Gjithsesi kjo është një përpjekje pa vlerë pasi në një kohë rekord Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do t’i japë Tiranës një tjetër hapësirë të gjelbër më shumë”, theksoi ai.
Ministri sqaroi se gropa që ka shërbyer deri dje si një vend i rrethuar hedhurinash ndodhet në një truall pronë shtetërore.
Sipas ministrit Olldashi, Ministria e Punëve Publike dhe Inspektoriati Ndërtimor, nuk do të ndalin punën për kthimin e saj në një hapësirë të gjelbër.
“Prej dy ditësh, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit përmes Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar po punon për mbylljen e gropës në fillim të rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit dhe për shndërrimin e saj në një hapësirë të gjelbër për qytetarët e Tiranës. Gropa që ka shërbyer deri dje si një vend i rrethuar hedhurinash ndodhet në një truall pronë shtetërore. Me ndërhyrjen që po bëhet, kjo gropë mbeturinash do të shndërrohet në një hapësirë  publike, sikurse u veprua me ish-gropën e Sejdisë prapa Teatrit të Operas që sot është një lulishte në funksion të qytetarëve”, nënvizoi Olldashi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›