Patozi: Padi penale ndaj "Gazetës Shqiptare" për shpifje

Deputeti i Partisë Demokratike ka reaguar pas publikimit të një njoftimi të sotëm në “Gazetën Shqiptare”, duke theksuar se do të ngrejë padi penale për këtë organ mediatik. Në një deklaratë për shtyp, Patozi ka theksuar se kjo gazetë i ka lejuar vetes të keqpërdoret mizorisht, duke botuar dje trillime të paskrupullta, të cilat më pas, i janë referuar atij. “Sqaroj publikun se gjithçka thuhet në ato radhë janë shpifje dhe vetëm shpifje të paskrupullta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë si prapavijë të tyren një sulm të ulët, që ka lidhje me funksionet e mia politike” thekson Patozi.
Ja edhe deklarata e plotë, e shpërndarë sot për mediat, nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së
“Gazeta Shqiptare” i ka lejuar vetes të keqpërdoret mizorisht, duke botuar dje trillime të paskrupullta, të cilat më referohen mua. Sqaroj publikun se gjithcka thuhet në ato radhë janë shpifje dhe vetëm shpifje të paskrupullta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë si prapavijë të tyren një sulm të ulët, që ka lidhje me funksionet e mia politike.
Duke hedhur poshtë me neveri të pavërtetat e “Gazetës Shqiptare” i kërkoj asaj, që në përputhje me etikën më elementare të shtypit, të botojë këtë përgënjeshtrim në të njëjtën vend dhe hapësirë si në numrin e djeshëm.
Si një prej gazetarëve me përvojë të gjatë në këtë vend mund të them pa mëdyshje se ky është rasti më flagrant i shpërdorimit të lirisë në të gjithë historinë e shtypit shqiptar.
Duke ruajtur të paprekur konsideratën më të lartë për fjalën e lirë, për misionin e shtypit dhe për profesionin e nderuar të gazetarit, e konsideroj ngjarjen si një precedent të rrezikshëm dhe ogur të keq që mund t’i hapë rrugë një epidemie të panjohur më parë në gazetarinë e shkruar shqiptare.
Gjatë gjithë aktivitetit tim publik, që nga viti 1991 e deri më sot, nuk kam menduar kurrë se do të vinte një ditë që do t’i drejtohesha gjykatës për një organ shtypi apo gazetar. Por më duhet të pohoj, pa asnjë keqardhje, se e ndjej të moralshme dhe jam i detyruar që ta bëj këtë
Do t’i drejtohem Gjykatës, i bindur se nuk do të kem përballë asnjë gazetar, por një apo më shumë keqbërës ordinerë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me principet e shenjta të shtypit të lirë. Dhe këtë do ta bëj, jo i nxitur nga motive personale, por i bindur se duhet dhënë një mësim për të gjithë “vrasësit me pagesë”, që mund të shkrehin sërish armët dhe të cënojnë pa u ndëshkuar jetën dhe lirinë e tjetrit.
Dhe në përfundim, më duhet të konfirmoj se, pavarësisht dëshirës apo pritshmërisë së porositësve dhe autorëve të shpifjes, unë do të vazhdoj i qetë dhe i vendosur të ushtroj me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi funksionet e mia publike.
Astrit PATOZI
...