E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat gjermane në kor:Nis hakmarrja e Bajernit

BERLIN- Mediat gjermane kanë ngritur në qiell lojën e futbollistëve të Bajernit në ndeshjen e së mërkurës ndaj Interit. “Hakmarrje! Hakmarrje! Akti i parë u krye”, ishte titulli i tabloidit “Bild”. “Bajerni fantastik”, vijon më tej ajo, duke shkruar se “llogaritë mund të mbyllen më 15 mars në Mynih”. “Bild” gjithsesi ka pranuar se më i miri në fushën e lojës ishte portieri i ri Tomas Kraft. “Gjysma e hakmarrjes u arrit”, shkruante “Berliner Zeitung”, sipas së cilës, “Bajerni është në një pozicion komod për ndeshjen e kthimit”. Ndërkohë, në Itali, presidenti Masimo Morati është shprehur i zhgënjyer me rezultatin. “Mbeta keq, por vetëm për rezultatin, pasi skuadra luajti mirë, - tha presidenti i klubit zikaltër. – Kemi qenë të pafat në momentin e golit. I quaj të drejta të gjitha zgjedhjet e Leonardos”, shtoi Morati. Presidenti zikaltër ka gjetur edhe arsyen e humbjes: “Na mungoi shumë një sulmues, për fat të dielën në kampionat, është i gatshëm Pacini”. Morati ka mbrojtur edhe Zhulio Sezar, që ka përfunduar në qendër të kritikave për golin e pësuar në minutën e 90-të. “Nuk mund të vihet në diskutim Zhulio Sezar, na ka shpëtuar shumë herë të tjera”, tha kreu i klubit zikaltër. Në fund, ai ka komentuar edhe humbjet e tre skuadrave italiane në Champions League: “Ne, Roma dhe Milani jemi përballur me kundërshtarë shumë të fortë”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›