Mediat greke komentojnë vizitën e Presidentit në Shqipëri
19/10/2004 Tre nga gazetat më të mëdha të fqinjëve tanë gekë, "Kathimerini", "Eleftherotipia" dhe "Ta Nea" kishin shkruar me të njëjtën gjuhë në lidhje me vizitën e Presidentit grek në Tiranë. Në titujt kryesorë të tyre theksohej fakti se Stefanopulos "u bëri të qartë shqiptarëve, se për atë personalisht çështja çame nuk ekziston", duke vënë në pah një klimë jo shumë miqësore ndaj Greqisë. Madje, komentet e tyre i mëshonin faktit se Presidenti grek, në konferencën për shtyp, u nervozua kur gazetarët këmbëngulnin në "çështjen e pasurive të çamëve në Greqi". Përveç kësaj, mediat greke kishin vënë në dukje kërkesën e Stefanopulos, për respektimin e të drejtave të grekëve në Shqipëri. Një tjetër aspekt, që pasqyrohej dukshëm, ishte edhe sugjerimi i tij, për ndryshimin e librave të historisë, si "burim i së keqes dhe favorizues të klimës së mosbesimit midis dy popujve". Nuk kishin harruar të vinin në dukje edhe faktin se Presidenti grek i kishte pranuar rastet e keqtrajtimit të emigrantëve shqiptarë, duke i denoncuar në mënyrë publike, por që, gjithsesi, i konsideroi "si raste të veçanta". Një vend të veçantë i ishte kushtuar edhe faktit që shoqatat çame kishin vendosur të organizonin protesta të fuqishme në Tiranë, të cilat u mënjanuan, "pasi morën garanci nga drejtuesit politikë të shtetit se kërkesa e tyre do t'i përcillej zyrtarisht Presidentit grek". Pasi vihej në dukje këkesa e homologut shqiptar, i cili këkoi të ngriheshin komisione specialistësh nga të dy palët, për zgjidhjen si të problemit çam, ashtu edhe të pasurive të grekëve në Shqipëri, theksohej fakti se, për herë të parë, një përfaqësues zyrtar i shtetit helen e kishte mohuar publikisht "ekzistencën e një problemi çam". Madje, proverbi "Nuk ka pyll pa derra", i përdorur nga Presidenti Moisiu, shoqërohej me komentin se "proverbi shqiptar i përdorur prej tij, i nënkuptonte pothuajse të gjitha", duke shtuar se klima e mirëkuptimit, që përpiqeshin të ndërtonin politikanët, kthehet në nivelin zero, në rast se "nuk respektohet nga policia në pikat kufitare, nga polici i thjeshtë, apo nga nëpunës të tjerë shtetërorë". Një vend të veçantë zinin edhe titujt kryesorë të gazetave shqiptare në lidhje me vizitën e Presidentit grek.