Policia në "këmbë" për Stefanopullos
19/10/2004 TIRANË – Masa të forta sigurie kanë shoqëruar dy ditët e para të vizitës zyrtare të Presidenit grek, Stefanopullos. Punonjës të policisë kriminale, të asaj rrugore, policisë së rendit dhe shoqërues pa fund të Gardës së Republikës janë vënë në dispozicion të grupit që shoqëron numrin një të vendit helen. Që prej ardhjes paraditen e së hënës të Presidentit grek, uniformave blu të kryeqytetit i ka rënë në pjesë që të jenë në "këmbë" për të shmagur çdo lloj problemi, sado banal që mund të dalë në qëndrimin treditor të tij në Shqipëri. Protokoll, apo masa paraprake para se të ndodhë ndonjë e "pabërë" e më pas të jetë tepër vonë?! Organet zyrtare "zyrtarisht" pohojnë të parën, pra protokollin, ndërsa nën zë pohohet se është më mirë të merren masa shumë të forta, siç dhe realisht janë marrë. Paraditen e së hënës, akset rrugore nga do të kalonte Presidenti i vendit fqinj kanë qenë të bllokuara për mjetet e tjera. E kjo nuk është një masë e zakonshme, përveç rasteve të pakta kur vendi ynë është vizituar nga ndonjë prej krerëve të politikës amerikane e asaj ndërkombëtare. Në çdo lëvizje që ai ka bërë në kryeqytetin tonë, kanë qenë në fillim uniformat blu të policisë së qarkullimit rrugor, që kanë bërë "pastrimin" e rrugëve për t'i lënë vendin më pas eskortës së Presidentit Stefanopullos. Sheshet përpara vendeve ku ka hyrë për të bërë vizita zyrtare Presidenti grek kanë qenë gjatë gjithë kohës nën një vëzhgim të imët të policisë kriminale dhe të grupeve të shoqëruesve të Gardës së Republikës. Mbrëmjen e dy ditëve më parë për shkak të vizitës së kreut të shtetit grek e gjithë rruga e "Elbasanit" deri te Pallati i Brigadave ka qenë nën ruajtjen e ushtarëve të Gardës. Nga një ushtarë për çdo cep pallati apo rrugë hyrëse dhe dalëse në atë zonë kanë qenë të vendosur për të mbajtur situatën nën kontroll. Postblloqet e policisë dhe të gardistët, në disa raste civilë e në të tjera me uniformën e tyre të errët kanë qenë në gatishmëri të lartë, në mënyrë që çdo gjë të shkonte sipas parashikimeve.