E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti grek nën masa të rrepta sigurie

19/10/2004  Që në orën 11:00, forcat e rendit kanë nisur spastrimin e zonës përpara kullës së Sky Tauer, ku ishte parashikuar dreka mes kreut të Qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Greqisë. Pas largimit të makinave, zona është marrë nën mbikëqyrjen e Gardës si dhe të forcave të shumta të policisë. Delegacionet kanë mbërritur në restorant rreth orës 13:00. Në orën 12:00, forcat e policisë rrugore kanë blokuar qarkullimin e makinave apo të mjeteve të tjera në rrugën para restorantit luksoz, ku drekuan delegacionet. Madje, shpesh dhe këmbësorët detyroheshin të kalonin në trotuarin përballë. Për 2 orë, restoranti dhe ambientet e tjera të godinës nuk kanë qenë të disponueshme për qytetarët. Situata ka vijuar e tillë deri në orën 15, pas largimit të delegacioneve. Për të garantuar qetësinë mësohet se janë angazhuar dhe forca shtesë të policisë dhe të forcave të gatshme. Ndërsa për të garantuar paprekshmërinë e delegacionit janë vënë në dispozicion forcat e Gardës që janë në gatishmëri për delegacione të veçanta. Në qëndrimin e tij në Shqipëri, Presidenti i Greqisë ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin Nano, me kreun e Bashkisë, Edi Rama, me përfaqësuesit e organizatës Omonia si dhe me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjithashtu, Stefanopulos do të vizitojë dhe vendlindjen e gjyshit të tij në një fshat të Sarandës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›