E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedh "Benz"-in nga pika e grumbullimit

19/10/2004  Arrestohet nga policia Ledon Dishani. Ai akuzohet se ka marrë me dhunë nga pika e bllokimit pranë Farmacisë nr.10, makinën e tij të bllokuar nga shërbimet e policisë rrugore. I riu nga Vlora është arrestuar pak minuta pas arratisë së tij në qytetin e Durrësit.

Grabitja

Duke përfituar nga trafiku i madh i kryeqytetit, Ledon Dishani nga Vlora provoi të shkelte rregullat e qarkullimit për të fituar ndopak kohë. Por, duket se tentativa e 22-vjeçarit nga qyteti bregdetar u kuptua nga shërbimet e policisë rrugore, që nuk hezituan ta ndalnin. Dokumentet e automjetit tip "Benz" me targa VL 8468 B u kontrolluan imtësisht nga blutë. Por nuk u desh shumë kohë që të vërtetohej se Dishani kishte mungesa në pajisjen me dokumentet e duhura. Deri në një sqarim të situatës, rrugorët vendosën ta bllokonin makinën. Me anë të një karrotreci, automjeti luksoz u dërgua në pikën e grumbullimit të komisariatit të policisë rrugore, pranë Farmacisë nr.10. Megjithë kundërshtimet e vlonjatit, blutë nuk e shkelën rregulloren. Sakaq, Ledon Dishani kishte përpiluar në mendje një zgjidhje për të rimarrë pronën e tij. Priti sa ra nata për të hyrë në pikën e grumbullimit. Pasi u grind një copë herë me rojen e saj, nuk hezitoi t'i bënte presion se do ta vriste. Më pas, nxitoi me të shpejtë drejt makinës, duke e rrëmbyer. 22-vjeçari nga Vlora mori rrugën drejt qytetit të lindjes, po atë natë, duke mos e vrarë mendjen se mund të qe shpallur sakaq në kërkim. Roja i grumbullimt të makinave kishte lajmëruar Komisariatin nr.1, prej nga qe sinjalizuar Durrësi. Në hyrje të këtij qyteti, Ledon Dishanin, e pritën efektivat e policisë kriminale, të cilët i vunë prangat. Bashkë me të u bllokua sërish dhe "Benz"-i i tij. Materialet iu dërguan Prokurorisë së rrethit.

Precedentët

Nuk është hera e parë që pronarët e mjeteve të bllokuara nga policia rrugore tentojnë t'i "çlirojnë" ato. Duke përfituar nga fakti që pika e grumbullimit pranë Farmacisë nr.10 ruhet vetëm nga një polic-roje, ata nuk e kanë të vështirë të realizojnë synimet e tyre. Mjafton një kapërcim i mureve rrethuese, një grindje e shpejtë me punonjësin e policisë dhe gjthçka sistemohet sipas dëshirës së tyre. Por kënaqësia nuk zgjat veçse pak minuta, ose dhe pak orë. Të lajmëruar nga roja i dhunuar, Komisariati nr.1 në bashkëpunim me homologët e tjerë të kryeqytetit ndërmerr aksionin për të vënë në pranga shkelësin e ligjit. Deri më tash, nuk shënohet asnjë rast ku pronarët të mos jenë penalizuar paskëtaj. Gjithashtu vlen për t'u theksuar se megjithë tentativat për të grabitur makinat e bllokuara, në pikën përkatëse vijon të mbetet ende një polic i vetëm, i paafatë për të ruajtur tërë hapësirën me automjetet e "kyçura".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›