E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet banda e grabitësve të banesave

19/10/2004  Pas një numri relativisht të lartë grabitjesh, që mbajnë autorësinë e tyre, policia nuk mundi të mos zbulonte Julian Shoren dhe Elton Grudën. Burime zyrtare nga policia në qark saktësojnë se, 22 dhe 20-vjeçari merreshin kryesisht me vjedhjen e sendeve me vlerë. Ata kishin grabitur një banesë në fshatin Yzberisht, ku morën disa bizhuteri. Pak kohë më pas, në 4 maj të këtij viti, pre e tyre ra dhe një apartament tjetër në kryeqytet, ku ata morën rreth 700 mijë lekë. Si të mos mjaftonin me kaq, në datën 1 gusht, Shore dhe Gruda ndërmorën sërish një tentativë grabitjeje. Në një banesë ata morën një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Policia kriminale e Komisariatit nr.2 arriti t'i zbulonte, falë analizimit të gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes. Më pas, ato u krahasuan me një sërë hajdutësh ordinerë të skeduar nga strukturat e rendit. Rezultoi se shenjat u përkisnin dy të ndaluarve. Ata kishin qenë dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim, ndaj policia dispononte shenjat. Julian Shore ishte shpallur person në kërkim qysh pas grabitjes së muajit gusht. Vepra e parashikuar nga dy të rinjtë parashikohet nga neni 134/2 i Kodit Penal. Materialet në ngarkim të Julian Shores dhe Elton Grudës iu dërguan Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›