E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për çamët të veprojnë strukturat përkatëse

19/10/2004  Ashtu si dhe një ditë më parë, tema e takimeve mes Presidentit të Greqisë, Kostandinos Stefanopulos dhe politikanëve shqiptarë ka qenë çështja e ponave çame dhe e të drejtave të emigrantëve si dhe minoriteteve greke në Shqipëri. Në takimin mes Fatos Nanos dhe Stefanopulos mësohet se është vlerësuar fakti që për zgjidhjen e çështjes të së drejtave të pronësisë duhet të angazhohen ekspertët dhe jo politikanët.

Kryeministri shqiptar vlerësoi dje marrëdhëniet dhe arritjet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai tha se, ashtu sikurse ka rënë dakord që në takimin e majit të këtij viti, me Kryeministrin Karamanlis, çdo çështje e mbetur pezull nga e kaluara do të trajtohet me vullnet të përbashkët, nga strukturat përkatëse, duke respektuar të gjithë hapësirat ligjore, konventat ndërkombëtare dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane". Nano ka vlerësuar se të drejtat e emigrantëve duhet të jetë të njëjta me ato të minoritarëve grekë në Shqipëri. "Ashtu sikurse minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi, duhet të konsiderohen si ura të çmuara miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve", tha kreu i qeverisë në takim. Në prononcimin e dhënë për shtypin, Nano tha se në takim u kuptua se çfarë detyrash të reja duhet t’u ngarkojmë administratave përkatëse, ekspertëve dhe çfarë mesazhesh integrimi, bashkëjetese dhe ngritje të garancive për të drejtat e njeriut, të minoriteteve në fushën e lirisë dhe besimit, të pronës, të të drejtave të arsimimit etj., si dhe të komunikimit mediatik në gjuhën amtare, duhet t'u ofrojmë shtetasve tanë kudo që jetojnë.

Stefanopulos

Është bërë e ditur se në takim, Presidenti grek shprehu vlerësim për ndryshimet e prekshme në Shqipëri, ndërsa i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve mjaft të rëndësishme, duke u shprehur se “marrëdhëniet me Shqipërinë kanë karakter strategjik". “Për integrimin tuaj, ju do të keni mbështetjen tonë të gjithanshme, të vendosur dhe të pandërprerë”, tha Stefanopulos në qëndrimin e tij. Ndërsa është vënë re se ka qëndruar larg prononcimeve për shtypin, që mund të sillte dhe një tjetër përplasje. Kjo për vetë faktin se, një ditë më parë, ai ka vlerësuar se çështja çame nuk ekziston. Presidenti Stefanopulos vlerësoi hapat që janë bërë nga Qeveria shqiptare, në respektimin e të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Ai tha se tashmë ky minoritet gëzon liri të ndryshme nga e kaluara. Me rastin e 1-vjetorit të ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, Kryeministri Nano i dhuroi Presidentit grek, Stefanopulos, statujën e Nënë Terezës.

Reagimi

Deklarata e Presidentit grek ka risjellë propozimet nga politika shqiptare për të rikthyer dhe një herë miratimin e një rezolute për zgjidhjen e çështjes së pronave çame. Partia Lëvizja e Legalitetit ka bërë të ditur dje se do të rikthejë për diskutim në Kuvend rezolutën e rrëzuar disa muaj më parë. Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë Greqia do të jetë e detyruar të respektojë të drejtën e pronësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›