E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat irlandeze: “Hajduti Henri vodhi ëndrrat tona”

PARIS- Të gjitha mediat botërore i kanë kushtuar një rëndësi të jashtëzakonshme ndeshjes së zhvilluar në Paris, duke e quajtur atë një skandal të përmasave të mëdha. Sidomos në Irlandë, dhimbja ka qenë vërtetë e madhe, në radhët e tifozëve dhe në titujt e shtypit. “Hajduti Henri vodhi ëndrrat tona”, titullon Irish Independent. “Henri do ta mbajë këtë gol në ndërgjegje për gjithë jetën”, është titulli i Irish Times. “Keto gabime i shtojnë një tjetër kapitulli dhimbjeve të irlandezëve, teksa këtë herë protagonist ishte një maskara me emrin Henri”, shkruan më tej kjo gazetë. E ndërkohë, paraqitja e skuadrës së tyre konsiderohet ekipe, monumentale, heroike, 11 luanë për Belfast Telegraf. Nuk kanë munguar sulmet ndaj FIFA-s. Mbrojtësi Riçard Djun tha se e vendosën zyrtarët kush do shkonte në Botëror, ku Franca e Platinisë nuk mund të mungonte. Liam Bredi, ndihmësi i Trapatonit e ka quajtur këtë një ditë të trishtuar për futbollin dhe ka kërkuar që ndeshja të riluhet. Por, është e vështirë që kjo të ndodhë.

Ndërkohë, mediat në Francë janë marrë sidomos me pikëpyetjen nëse Domenek duhet të vazhdojë apo jo të jetë në krye të kombëtares, ndërsa e kanë krahasuar Henrinë me Maradonën. “Dora e Zotit” titullon në faqe të parë e përditshmja sportive “L’Equipe”. “Është e sigurt se Franca u kualifikua, por rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të kënaqur ndjenjat tona”, shkruan më tej kjo gazetë. “Një Mrekulli” e quan këtë kualifikim Le Parizien, ndërsa të gjitha gazetat nuk harrojnë të kritikojnë trajnerin e tyre për mënyrën e vendosjes së skuadrës dhe të përgatitjes së ndeshjes. Por, deklarata më domethënëse ka qenë ajo e Tieri Henri, lojtari që ndaloi topin me dorë në aksionin e golit të barazimit. “Po, ishte një top i ndaluar me dorë, - tha sulmuesi i Barcelonës. – E di që është e vështirë ta pranosh dhe këtë po u thoja edhe kolegëve irlandezë. Por, topi u përplas në dorën time dhe unë nuk mund të bëja gjë tjetër veçse ta pasoja. Ua thashë edhe futbollistëve irlandezë se unë nuk jam arbitri”, deklaroi Henri, që ka konfirmuar fjalët e Trapatonit se gjyqtari i ndeshjes Martin Hanson ka gabuar rëndë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›