E Diel, 1 Nëntor 2026

Katari, 8 marrëveshje me Shqipërinë, interes edhe për projektet e Tiranës

TIRANË Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Emirin e Katarit, Lartësinë e Tij, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al-Thani. Gjatë takimit, Berisha e vlerësoi vizitën e Emirit të Katarit, Lartësisë së tij Sheikut Hamad Bin Khalifa Al-Thani, si dhe të delegacionit të lartë që e shoqëronte, si një vizitë historike, e cila do të sjellë një kontribut historik në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe kombeve, por edhe në zgjerimin dhe dhënien e një hovi të ri në bashkëpunimin në shumë fusha. Fillimi i këtij bashkëpunimi ka qenë dje edhe firmosja e 8 marrëveshjeve. Gjatë takimit u ra dakord që në muajt dhe në vitet e ardhshme të fillojë me shpejtësi evidentimi, studimi, përgatitja dhe realizimi i projekteve të rëndësishme, në fusha si ajo e turizmit bregdetar dhe malor, e infrastrukturës dhe importimit e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm natyror, si për prodhim energjie elektrike, ashtu edhe për nevoja familjare. Palët biseduan edhe për projekte të tjera të rëndësishme në fushën e infrastrukturave portuale, të prodhimit të energjisë hidrike, të bujqësisë, arsimit, kulturës, sporteve etj, si dhe projekte infrastrukturore e turistike për kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti dhe kryebashkiakun Lulzim Basha. Ky i fundit i dorëzoi dje në darkë titullin “Qytetar Nderi”, Emirit të Katarit, Sheikut Hamad Bin Khalifa Al Thani, me motivacionin e dhënies së kontributit për qytetarët e Tiranës. Gjatë takimit me mbretin e Katarit, z.Basha e njohu atë me projektet dhe prioritet e Bashkisë, kryesisht në rrafshin strategjik, si zgjatimi i bulevardit, ndërtimi i linjës së tramvajit, ndërtimi i parkut në lumin e Tiranës etj. Emiri i Katarit shprehu interes për këto projekte dhe tha se do të shqyrtojë mundësitë për financimin e tyre. Gjithashtu, Emiri i Katarit tha se edhe biznesi i Katarit ka interes për të investuar në Tiranë. Po dje Emiri i Katarit, Lartësia e Tij Sheikun Hamad Bin Khalifa Al-Thani ka zhvilluar një takim edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit dekoroi Emirin e Shtetit të Katarit, Sheik Al Thani me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›