E Diel, 1 Nëntor 2026

Medime për librin “Kujt t i besoj”, poezi të zgjedhura të poetit Faslli Haliti

Autori i Lajmit: Red.
Faslli Haliti është një poet që e ka shfaqur veten me një individualitet të spikatur që në librin e parë. Ky poet shfaqej në një periudhë të caktuar të historisë sonë kur disa talente luftonin për të çarë parzmoren e rregullave të realizmit socialist. Një brez i këtyre talenteve ishte tashmë i afirmuar, një tjetër luftonte për t u afirmuar.Faslli Haliti ishte ndër këta të fundit, u përkiste poetëve të viteve shtatëdhjetë ( ndonëse si moshë ishte pak më i madh ).

Po që ne librin e parë ai dilte me zërin e vet.
Detajet befasuese në poezinë e tij nuk u ngjanin detajeve në poezinë e krijuesve të tjerë, kishin një aromë dhe një vlagë të caktuar, figuracioni i tij ishte i freskët, jo i koduar sipas traditës së re të krijuar në vitet 60 nga treshja Kadare - Agolli - Arapi. Këta poetë e pastruan poezinë tonë nga stolitë retorike, zgjeruan pa masë leksikun e poezisë duke e pasuruar qoftë me fjalë të zakonshme të jetës së përditshme, qoftë me një terminologji teknike dhe shkencore që quhej gjer atëherë e huaj për poetikën, e ngritën poezinë në një nivel të lartë mendimi duke përjashtuar racionalizmin dhe prozaizmin që dallonte në përgjithësi krijimtarinë poetike të viteve 50. Faslli Haliti përfshihet në traditën e re poetike, po mundohet të ecë jo në gjurmët e të tjerëve, po me hapin e vet, sado të ndrojtur e të pasigurt, po me një ritëm të vetin. Figuracioni i tij nuk ka përpjesëtimet e gjera dhe fantazinë marramendëse të figurave të Kadaresë, po është i freskët dhe jetësor, pikon lëng jete. Poeti i ri sjell përshtypje nga realiteti që njeh, është konciz dhe befasues, konkret dhe me një perceptim prej piktori, një poet realist, po që më tepër mund të përkufizohej i realizmit kritik. Ai ka që tani një figurë të tijën, sinestezinë. Përmes kësaj figure do të shkrijë poezinë me pikturën: Si e çarë shalqiri/ vetëtima/ vetëtin. Më vonë F. Haliti e thelloi realizmin dhe përmasën sociale të poezisë së tij aq sa ”kapërceu vijat e bardha„ dhe ra në të ashtuquajturën ”nxirje të realitetit”, mëkat mortor për një poet të realizmit socialist, provë trimërie për një poet në kuptimin e plotë të fjalës. Dëshmi për këtë ishte poema Dielli dhe rrëkejat, një poemë ku e bardha ish e bardhë dhe e zeza e zezë, larg dritës së trëndafiltë të idealizimit karakteristikë për realizmin socialist. Ishte një poemë sociale dhe kritike. Një poezi tepër origjinale dhe sfiduese ishte Njeriu me kobure që portretizonte me detaje konkrete dhe me force shprehëse një karakter tipik të diktaturës. Kjo poezi u bë proverbiale sidomos pasi u godit ashpër nga bashkëshortja e kryeministrit të atëhershëm, në revistën Rruga e Partisë, mars 1974. Pastaj do të kishte për pesëmbëdhjetë vjet për të dalë sërish me një vëllim Mesazhe fushe, do të botonte gjithashtu dhe dy vëllime për fëmijë, por lulëzimin e vërtetë poeti do ta njihte pas shembjes së diktaturës që mori me vete ndërtesën e ndërtuar me materiale të brishta të realizmit socialist.

Shpërthimi krijues
Pas vitit 90 F. Haliti përjetoi një shpërthim të vërtetë krijues : nxori në dritë 24 vëllime, nga të cilët 14 janë vëllime me poezi origjinale për të rritur dhe 2 me poezi për fëmijë; 10 vëllime me përkthime dhe në dy vëllime është bashkautor. Të gjith Këto zbulojnë një aspekt të ri të individualitetit të tij krijues ( pa llogaritur tregime të botuara në shtyp dhe përkthime që kanë edhe ato vlerat e veta). Ç është pra , F. Haliti poet? Në radhë të parë është poet i njëmendtë dhe kjo ka rëndësi. Poezia e F. Halitit është një poezi e paradokseve dhe aforizmave, një poezi mendimi, po ku nuk mungon ndjenja ( mund të thuhet se i ngjan barit që mbin në mes të gurëve ), një poezi e figuracionit befasues dhe konkretësisë së detajeve, një poezi e pikëzuar nga gjetjet që të befasojnë, po s janë qëllim në vetvete, përçojnë mesazh. Që në fillimet e tij F. Haliti ka qenë një poet realist që e ka thelluar gjithnjë realizmin e vet. Poezia e tij, ndonëse paradoksalisht e kanë quajtur të errët, është e qartë, po jo e thjeshtë dhe aq më pak e thjeshtëzuar. Poezia e F. Halitit ka pasur gjithnjë një përmasë sociale, ka qenë antenë që kapte vibracionet e kohës së vet. Në vitet 90 dhe në vitet e para të shekullit të ri poeti e ka mprehur tehun social të poezisë së vet dhe është futur thellë në atë zonë që ”realizmi socialist„ e kishte ndaluar, në zonën e poezisë me problematikë ekzistenciale që ka në qendër binomin e dashur për shumë poetë Dashuri - Vdekje që shihet nga F. Haliti përmes një optike origjinale. Dashurinë poeti e koncepton si forcë jetësore, si një mishërim të bukurisë së jetës, kurse ndaj vdekjes mban një qëndrim ambivalent, madje polivalent. Vdekja për të është herë kundërshtare, herë poli i kundërt i jetës, herë liman prehjeje. Poezia e vëllimit të fundit, Kaq, të F. Halitit është poezi realiste, poezi e një realiteti dramatik, po jo poezi nihilizmi a pesimizmi të skajshëm. Përveç ”ikjes„ në botën e poetit ka dhe ”kthim„ dhe përtëritje. Forma e vëllimit i përshtatet mesazhit të tij. Poeti parapëlqen një varg të thyer, të cilit nuk i mungon ritmi, një varg plot hove, vrulle, zigzage, ngjitje - rënie, zig - zage, ngjitje - rënie, një varg që ecën, ngjitet, zbret kështu me mendimin.

Poezia bashkëkohore
Poezia e F. Halitit është një poezi bashkëkohore ku poeti zbulon lakuriq plagët e realitetit të sotëm dhe kërkon shërim për to. F, Haliti nuk ndruhet së qeni një poet „i angazhuar”, jo ndaj një partie, po ndaj problemeve bashkëkohore që i gjykon me rreptësi prej njeriu dhe prej poeti. Ai guxim që e ka dalluar në kohën e diktaturës vazhdon t i japë forcë tani në këtë kohë të brishtë demokracie. Një temë e parapëlqyer e poetit është ajo e dyfaqësisë, hipokrizisë. F.Haliti stigmatizon me kamxhikun e poezisë mikun e pabesë, njeriun që ka dy masa morali, kameleonët politikë. Ironia është tretur në poezinë e tij. F. Haliti s është vetëm poet me prirje sociale, është njëkohësisht një poet mendimtar që i bën vetes pyetjet e përjetshme të njerëzimit për jetën, për vdekjen, për dashurinë. Ai lidh në një formë të veçantë dy temat e kundërta, po që çuditërisht formojnë një binom te shumë poetë. Poetin vitet dhe një sëmundje e rëndë e kanë afruar me armiken e pavdekshme , vdekjen. Ai e sheh në sy me kthjelltësi, nuk shfren në mallkime kundër saj , as e minimizon si dekadent, Poeti është shumë vital, prandaj dhe tema e dashurisë ka vendin e saj tek ky vëllim përmes vjershave të shkurtra befasuese që mbështeten mbi një paradoks pothuajse gjithmonë, po s janë sajime intelektualiste. Në to ndjenja fshihet pas mendimit. Lirika erotike e Faslli Halitit është një lirikë impresioniste, po plot freski, moderne, po me një nënshtresë filozofie popullore. Në poezinë Liceistes, përms kontrastesh dhe me një humor të dhimbshëm pasqyrohet dukuria e dashurisë pa përgjigje. Në poezinë Besniku tema e dashurisë trajtohet në mënyrë origjinale me personazhin e kafshës, qenit që antropomorfizohet dhe duket se e kupton dashurinë. Tema e dashurisë për kohën tok me temën e vazhdimësisë së brezave që mishërohet te nipat a mbesat jetojnë përmes lirikash të shkurtra, koncize, të ndërtuara mbi një gjetje kuptimplote. Në poezinë me humor, po që fsheh ndjenjën pas humorit Askush s më bindet heroi lirik pranon me gëzim ” sundimin,, e nipërve, pikërisht dhe çuditërisht ai, ”rebeli i përhershëm.
Ky lajm është publikuar: 19/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›