E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet protesta, drejtuesit e naftës rishikojnë listën e shkurtimeve

Autori i Lajmit: Red.
Protesta që vazhdoi 3 ditë me radhë për reformën e shkarkimeve të punonjësve në Uzinën e Ballshit duket se ka zgjidhur diçka. Sipas të informacioneve të marra drejtuesit e kompanise "Armo" dhe të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që varen nga kjo kompani, kanë premtuar rishikim të listës së naftëtarëve të prekur nga reforma. Drejtori i KPTHN-së, Tonin Hysi, sqaroi se është marrë vendimi për rishikim të listave të punëtorëve që do të dalin në reformë. Drejtori i KPTHN-se, pasi ka pritur një përfaqësi të punonjësve, u ka premtuar atyre rishikim të listave dhe zbatim të kritereve të nxjerrjes në reformë. Zëri i naftëtarëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, u dëgjua pas më shumë se 3 ditësh proteste të vazhdueshme gjatë zhvillimit të së cilës u bllokua edhe aksi kombëtar Ballsh-Tepelenë. Kërkesat e punonjësve protestues konsistonin në rishikimin e listës së punonjësve të shkurtuar. Nga ana tjetër, ata kërkojnë më tepër sqarime për kriteret e marra parasysh në listën e gjatë të emrave të reformës së shkurtimeve nga puna. Ata janë shprehur se nuk do ta pranojnë kurrsesi që të ikin nga puna, nëse plotësojnë kushtet dhe kriteret e reformës. Sipas tyre, mosrënia dakord me reformën konsiston në faktin se në listën e shkurtimeve përfshihen punonjës që kishin deri në 35 vjet pune, ndërkohë që në punë janë mbajtur militantë partiakë si dhe me arsim 8-vjeçar. Lidhur me reformën e shkurtimeve në Uzinën e Ballshit pak ditë më parë edhe zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, deklaroi për median se ministria u ka kërkuar dhe u kërkon drejtuesve të kompanisë "ARMO", që ristrukturimi i kompanisë të jetë i drejtë, i ndershëm dhe jashtë çdo lloj tendencioziteti.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›