E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medinë, përleshje mes shiitëve e sunnitëve

Nga Express më 18 dhjetor 2010 në ora 16:30

Në qytetin e shenjtë mysliman të Medinës shpërtheu një përleshje ndërmjet turmave të myslimanëve shiitë dhe sunnitë, përderisa këta të parët po kremtonin festën e Ashureve.

Forcat saudite të sigurimit arritën të shpërndajnë turmat e myslimanëve shiitë dhe sunnitë, pas dhunës që kishte shpërthyer të enjten mbrëma në qytetin e Medinës gjatë festës shiite të Ashureve, njoftuan të shtunën burime shiite dhe një gazetar lokal saudit.

Shteti numër një në eksportin e naftës, Arabia Saudite praktikon islamin sunnit, ndërsa shiitët atje janë pakicë, megjithëse gjendja e tyre është përmirësuar paksa pas reformave të ndërmarra nga mbreti Abdullah, ata ende përballen me shumë kufizime dhe diskriminim. Qeveria saudite i mohon këto akuza.

Web-faqja shiite Rasid.com ndërkaq njoftoi se, një grup sunnitësh sulmoi me gurë disa shiitë që po kremtonin festën e Ashureve në rrugët e Medinës, që është qyteti i dytë më i shenjtë të Islamit.

Një banor lokal shiit gjithashtu e konfirmoi incidentin për agjencinë Reuters. Sipas tij, e gjithë ngjarja ndodhi në afërsi të Xhamisë historike Quba.

Përmes Ashureve shiitët shënojnë vrasjen e nipit të profetit Muhamed, imam Huseinit, në vitin 680 të erës sonë. Ky ritual tradicionalisht shënohet me gjakderdhjen e qëllimshme të pasuesve të tij. Megjithëse, shiitët në Arabinë Saudite thonë se ata fare s’mund ta shënojnë festën publikisht, përveç në disa pjesë të Provincës Lindore të shtetit, ku ata janë shumicë.

"Forcat e sigurimit arritën të shpërndajnë turmën", deklaroi gazetari saudit, i cili foli me kusht anonimiteti. "Që nga ajo ditë vërehet një prani e madhe e organeve të sigurimit në Medinë, dhe nëpër rrugë po patrullojnë shumë policë”.

Web-faqja saudite që merret me çështjet aktuale në vend, sabq.org, citoi një zëdhënës të policisë lokale, sipas të cilit, policia arriti t’i jepte fund një zënke mes dy grupeve të të rinjve që kishin hedhur gurë drejt njëri-tjetrit.

"Situata tani është plotësisht e qetë", citohet të ketë thënë zëdhënësi, Muhsin el-Radadi, ndërkohë që web-faqja shfaqi edhe një pamje të asaj që ajo e cilësoi të jetë një autoambulancë që po vinte në vendngjarje.

Ministria e Brendshme në Riad nuk pati asnjë koment të menjëhershëm rreth ngjarjes.

Sipas zyrtarëve sauditë, shiitët përbëjnë 10 përqind të popullsisë së Arabisë Saudite, edhe pse diplomatët ndërkombëtarë vlerësojnë se kjo shifër mund të jetë afro 15 përqind.

Sshiitët sauditë ankohen në sulme të rregullta verbale nga na e klerikëve sunnitë, dhe në vështirësitë që hasin nga zyrtarët e lartë të qeverisë dhe në sigurimin e punës, akuza këto që mohohen nga qeveria.

Megjithatë, pas trazirave të fundit, në Medinë u konfirmua arrestimi i 30 personave,e dhe pse përkatësia e tyre nuk u bë e ditur. (Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›