E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stopohet blerja e ambasadave në Washington e Bruksel

Nga Express më 18 dhjetor 2010 në ora 15:08

Mosmarrëveshjet midis Komisionit Ndërqeveritar për blerjen e ambasadave dhe Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ndërprerë nga Auditori Gjeneral.

Zëvendësdrejtori i Auditorit Gjeneral, Qerkin Morina tha se Komisioni Ndërqeveritar ka bërë shkelje kur nuk ka përfshirë në negociatat milionëshe edhe Zyrën e Prokurimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ne kemi ndërhyrë direkt, po ne e kemi ndërprerë këtë proces për shkak se janë shkelur procedurat, zyrtari i prokurimit thotë se është i anashkaluar krejt, këta thonë se ne nuk e kemi ditë, unë e di që është ndalur ajo, nuk është procesuar më tutje. Është dashur të marrë pjesë zyrtari i prokurimit të MPJ, ai nuk është integruar fare në këtë ekip”, thotë Morina.

Kohë më parë shefi i prokurimit i Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte bllokuar nënshkrimin e kontratave për blerjen e ndërtesave ku do të vendosen ambasadat e Kosovës në Washington, Bruksel, Londër dhe Paris. Ndërsa, vetë Komisioni Ndërqeveritar dhe krerët e Ministrisë së Punëve të Jashtme insistonin që kontratat të nënshkruheshin patjetër.

Ndërkohë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme bëjnë me dije se kjo Ministri tanimë ka vendosur për blerjen e ambasadave në Washington dhe Bruksel. Këtë e konfirmon edhe ish -zëvendësministrja e jashtme, Vlora Çitaku, e cila thotë se tani më është tejkaluar ky problem midis Komisionit Ndërqeveritar për blerjen e ambasadave dhe Zyrës së Prokurimi të Ministrisë së Jashtme.

“Komisioni më ka raportuar se i kanë përmbyllur proceset për dy objekte, sepse për dy kemi pasur buxhet, ndërkohë të tjerat mbesin për vitin e ardhshëm. Për aq sa unë e di, jam e informuar, janë tejkaluar. Madje zyrtari i prokurimit dhe sekretari i përhershëm të MPJ-ës kanë bërë nënshkrimin e kontratave, tani pritet vetëm të qartësohet se a mund të ketë autorizim zëvendësministri për të nënshkruar në vend të ministrit”, ka thënë Çitaku.

Bazuar në shpjegimin e Zyrës së Auditorit Gjeneral edhe vetë Zyrës së Prokurimit të MPJ-së gjatë negociatave për blerjen e objekteve për ambasada, Komisioni ka bërë disa shkelje dhe për këtë arsye Zyra e Prokurimit ka refuzuar për t’i nënshkruar ato.

Në arsyetimin Zyrës së Prokurimit për mosnënshkrimin e kontratave të bëra nga Komisioni Ndërqeveritar theksohet mungesa e dosjes së tenderit për procedurat e negociuara pa publikim të kontratës si dhe autoritetit kontraktues nuk i janë sjellë dëshmi të mjaftueshme rreth kontraktimit të lokaleve për ambasada. (rtk)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›