Inter, kampion i botës
Inter fitoi Kampionatin botëror të klubeve të shtunën, duke mposhtur në finale TP Mazemben me rezultat 3-0, për të ndalur serinë e befasishme të kampionit të Afrikës. Kampioni i Evropës shpejt krijoi epërsi 2-0 pasi sulmuesi kamerunas Samuel Eto’o shërbeu për maqedonasin Goran Pandev, i cili realizoi golin e parë në minutën e 13-të.
Eto’o e shënoi vetë të dytin katër minuta më vonë, kur mori një top në zonën e gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe qëlloi në këndin e majtë të portës. Ky ishte goli i tij i 19-të në 23 ndeshje të këtij sezoni për Interin.
Mazembe, që në gjysmëfinale mposhti kampionin e Copa Libertadores, Internacional nga Brazili, nuk ishte në ndeshje deri në 20 minutat e fundit të saj kur sulmuesi Dioko Kaluuyituka kishte disa raste për shënim, por nuk i shfrytëzoi ato.
Ndërsa Joseph Biabiany e vendosi rezultatin përfundimtar, duke shënuar në minutën e 85-të. 45 vite më vonë është përsëri një Grande Inter. Më 1965, Inter fitoi tre tituj historikë, duke triumfuar atë kohë në Kupën Interkontinentale kundër Independientes.
Të shtunën në Abu Dhagi, presidenti Massimo Moratti bëri atë që kishte bërë babai i tij Angelo, duke i dhuruar titullin e tretë të kampionit të botës për popullin Nerazzur që gjendet në krye të futbollit botëror tri vite pas triumfit të komshinjve të tyre, Milan.
Inter e mbyll vitin 2010 me pesë tituj të fituar, Scudetto, Liga e Kampionëve, Kupa e Italisë, Superkupa e Italisë dhe tani Kampionati botëror i klubeve. Futbollisti më i mirë i ndeshjes finale u zgjodh sulmuesi Samuel Eto’o me një asistim dhe një gol të shënuar.
Internacional, i treti
Dy gola nga sulmuesi Alecsandro i ndihmuan kampionit të Copa Libertadores, Internacional nga Brazili të mposhtë Seongham Ilhwa me rezultat 4-2 dhe të merr pozitën e tretë në Kampionatin botëror të klubeve të shtunën.
Internacional u befasua nga kampioni i Afrikës, TP Mazembe në gjysmëfinale kaloi në epërsi në minutën e 15-të kur Tinga mposhti portierin e Seonghamit, Jung Sung Ryong. Alecsandro dyfishoi epërsinë e Internacionalit 12 minuta më vonë, pas shërbimit nga mesfushori Andres D’Alessandro.
Jug-koreanët humbën mbrojtësin Jang Suk Won, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 34-të pas një ndërhyrjeje ndaj Tingas. Golat e tjerë nga Alecsandro dhe D’Alessandro e bënë 4-0 për Internacionalin para se Mauicio Molina të realizonte dy herë për ngushëllimin e Seonghamit në 10 minutat e fundit.