E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, Alibeaj e Bumçi, dëshmitarë te "Gërdeci"

Gjykata e Tiranës vendosi dje të thërrasë si dëshmitar, ish- ministrin e Mbrojtes të përjashtuar nga gjykimi


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pranoi të thirren me cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtjes të tre ish/dhe Ministrat e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha.


Ka qenë treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, të cilët prej muajsh kanë marrë në shqyrtim dosjen penale në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, që kanë pranuar kërkesën e mbrojtësve ligjorë për thirrjen me cilësinë e dëshmitarëve të tre zyrtarëve të lartë, emrat e të cilëve janë lakuar para dhe pas ngjarjes së 15 marsit 2008.


Në vendimin e saj, gjykata ka pranuar kërkesën e të pandehurit Ndue Marku për thirrjen me cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtjes të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit dhe ish-bashkë i pandehur i kësaj dosjeje, si dhe dy ish-ministrat e Drejtësisë, deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Aldo Bumçi.


Kështu, me vendimin e djeshëm, pritet që pas përfundimit të pyetjes së dëshmitarëve të akuzës në gjykatë, kjo e fundit me kërkesë të mbrojtësve ligjorë do t'i kërkojë tre deputetëve ardhjen e tyre në seancë gjyqësore për t'iu përgjigjur pyetjeve të të pandehurve për fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec.


Ky vendim, erdhi pasi i pandehuri Ndue Marku, në parashtrimin e kërkesave të tij hyrëse dhe provave mbrojtëse një javë më parë u shpreh se "dëshmia e Fatmir Mediut, Enkelejd Alibeajt dhe Aldo Bumçit do provojnë pafajësinë time".


Gjithashtu, gjykata pranoi të gjithë provat e prokurorëve të çështjes të cilët i parashtruan në seancën e kaluar gjyqësore, ndërkohë, refuzoi kërkesën e të pandehurit Luan Hoxha për riekspertimin e shkakut të shpërthimit dhe thirrjes me cilësinë e dëshmitarëve të ekspertëve amerikanë që bënë këtë akt-ekspertim.


Togat e zeza, pasi u shprehën mbi kërkesat dhe provat e avokatëve, vendosen të ndërpresin seancën gjyqësore për të vazhduar të premten me thirrjen e dëshmitarëve të parë të akuzës. Sipas gjykatës, të parët që do pyetën para togave të zeza me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës janë familjarë të viktimave të kësaj tragjedie dhe punëtorë të kësaj punishteje demontimi në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës.


Dëshmitarët
Të parët do pyeten prindërit e fëmijës 6- vjeçar Edison Durda


Mësohet se të parët që do pyetën para gjykatës janë prindërit e 6- vjeçarit Edison Durda, që humbi jetën nga ky shpërthim, Feruzan dhe Zamira Durda, të cilët kanë kallëzuar sërish në prokurori ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, që me vendim të Gjykatës së Lartë janë pushuar akuzat ndaj tij.


Çifti Durda që nga dita e lirimit nga akuza të deputetit Mediu, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë nga Prokuroria e Përgjithshme të që të rimerret i pandehur për tragjedinë e Gërdecit deputeti Mediu. Sipas akuzës, shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve më 15 marsit 2008, solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur e gjymtuar.


Shkaku i shpërthimit, sipas përfundimit të akt-ekspertimit të amerikanëve ka qenë një shkëndijë zjarri e dalë nga fërkimi i fundit të karrocës prej teneqeje të mbushur me barut që më pas ka sjellë shpërthimin e fuqishëm.

DËSHMITARËT E RADHËS
Zamira Durda
Mimoza Kurja
Feruzan Durda
Qemal Mema
Viktor (Ndue) Nikolli
Shefki Seka
Petrit Behari
Shaban Brahushi
Vasil Laçi
Arta Primi
Mustafa Laçi
Shkëlqim Primi

Ministrat dëshmitarë
Fatmir Mediu- ish ministër i Mbrojtjes
Aldo Bumçi, ish- ministër i Drejtësisë, ish- kryetari i Komisionit të Ligjeve
Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›