E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: “Demontimi i armëve bëhej nga FA, për të cilën përgjigjet kryeministri”

Ish-ministri i Mbrojtjes: “Nuk jam informuar për rrezikun që kanosej”. Mediu: “Firma ‘SAC’ u mbështet nga Shtabi dhe Forcat e Armatosura”

Shaban Sulçe

Ashtu si dhe kryeministri Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka shmangur përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Në një konferencë për shtyp Mediu ka ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura për ngjarjen tragjike.
“Ministri përgjigjet para Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit për strategjinë ushtarake, por jo për çështjet teknike. Dua të ritheksoj se ministri është ministër politik dhe as ushtarak apo shofer, dhe s’ka si të ketë njohuri për rregullat e demontimit. Shtabi i Përgjithshëm përgjigjet për gatishmërinë ushtarake. Ai është këshilltari më i lartë për Ministrin e Mbrojtjes, Presidentin dhe Kryeministrin sa i përket sigurisë kombëtare. Forcat e armatosura garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka autoritetin për të vepruar nëse cenohet siguria publike. Ministri është funksionar politik. Ministria mbështet në aspektin teknik veprimtarinë e strukturave të saj. Tragjedia e Gërdecit ndodhi për shkak të përqendrimit të lartë të barutit. Por është Shtabi i Përgjithshëm ai që ka përgjegjësi për transportin, ruajtjen, zgjedhjen e vendit etj.”, - deklaroi Mediu. Ai shtoi se nuk kishte marrë asnjë informacion për rrezikun që kanosej nga demontimi i municioneve në Gërdec. “Inspektorët nuk i kanë paraqitur ministrit asnjë informacion që të vinte në dukje probleme apo parregullsi për demontimin që kryhej në Gërdec”, – tha Mediu.
Firma demontuese
Ish-ministri i Mbrojtjes tha se edhe firma “SAC”, që ishte përzgjedhur për demontimin e municioneve në Gërdec, kishte marrë viston dhe mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Forcave të Armatosura. Ai është shprehur se kanë qenë Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura të cilat jo vetëm nuk kanë ndaluar demontimin në Gërdec, por kanë firmosur unanimisht se kompania ‘SAC’, që do të bënte demontimin, i përmbushte të gjitha rregullat teknike. “Më 18 janar është bërë prezantimi filmik nga ana e SAC-së. Këtu ka marrë pjesë drejtori i MEICO-s, drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm dhe shefi i Armatim- Municionit në Shtab. Të gjithë të pranishmit kanë theksuar avantazhet teknologjike të kompanisë ‘SAC’. Përveç të tjerave, SAC ka pranuar të paguajë Ministrinë e Mbrojtjes për demontimin që do të bënte. Ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë. Forcat e Armatosura kanë përgjegjësi lidhur me licencimin e kompanive të demontimit dhe të gjithë të pranishmit nga Shtabi dhe Forcat e Armatosura u shprehën se ishin dakord. SAC ishte kompania që mori konfirmimin unanim të Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura”, - deklaroi ai.
Berisha
I pyetur nga gazetarët në lidhje me komunikimin për këtë çështje me kryeministrin Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu tha: “Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryeministrin lidhur me këtë çështje”. Ndërkohë ai ka komentuar edhe deklaratën e Berishës në Televizionin BBC, ku Berisha deklaronte se për tragjedinë e Gërdecit fajtore ishte Ministria e Mbrojtjes. Komenti i Mediut për këtë deklaratë ishte: “Deklaratat kanë qenë të të gjitha llojeve. Unë di të them këtë, që Ministria e Mbrojtjes nuk është vetëm ministri, por edhe strukturat përkatëse. Ministria e Mbrojtjes ka ushtarë, nënoficerë, majorë, gjeneralë, forca të armatosura. Ministri nuk është as gjeneral, as oficer dhe ka njerëz që kanë përgjegjësinë për t’i bërë këto punë. Kushdo që flet për Ministrinë e Mbrojtjes duhet ta dijë që nuk është vetëm ministri përgjegjës, por edhe funksionarët e tjerë”, - tha ai.
Mediu deklaroi se edhe Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen tragjike të Gërdecit. “Presidenti nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata kanë një informacion rutinor ditor dhe nëse ka një çështje shqetësuese ai merr këshillim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Unë nuk vendos gishtin mbi asnjë ushtarak dhe them vetëm që Forcat e Armatosura kanë qenë të përfshira në proces”, - tha Mediu.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›