Tirana e Vllaznia s’ndalen, Dinamo mban hapin e titullin
Fatjon Kodra
Tirana ka mundur dje në “Qemal Stafa” Apoloninë e Fierit me rezultatin e pastër 2-0 dhe vazhdon të mbajë kryesimin e kampionatit të 70-të kombëtar edhe pas javës së 25-të të tij. Në të vërtetë takimi i djeshëm është dominuar totalisht nga bardheblutë, të cilët pas zhgënjimit të një jave më parë në Ballsh, bënë detyrën e tyre, duke siguruar trepikëshin dhe duke bërë një hap të mirë drejt objektivave të veta. Goli i parë u shënua nga Devolli në minutën e 32-të, ku shfrytëzoi mjaft mirë me kokë një krosim të bukur të kapitenit Muka. Goli i dytë i shënuar nga Muka nuk erdhi për shkak të efikasitetit të aksioneve sulmuese të skuadrës, por nga një gabim i mbrojtësit Peqini, pas së cilit përfitoi Muka, që mposhti edhe portierin Hoxha dhe i dha Tiranës qetësinë.
Vllaznia-Flamurtari - Vllaznia ka arritur një fitore të çmuar kundër Flamurtarit, në një ndeshje ku tensioni ka përshkuar fundin e saj dhe në golin e tretë vlonjatët kanë qëndruar pasivë në fushë. Pas golit të barazimit, gjyqtari Jorgji akordon 11-metërsh, duke parë një prekje të topit me dorë. Në këtë moment në fushë ka tension, pasi e gjithë pankina vlonjate dhe futbollistët vërshojnë drejt gjyqtarit. Për pak minuta loja është ndërprerë. Por kryesori Jorgji ka qenë i bindur për atë që ka bërë, meqenëse ishte afër aksionit. Goditjen nga pika e bardhë e ka marrë përsipër Lici, i cili nuk ka gabuar, duke kaluar përsëri Vllazninë në avantazh. Topi është vendosur me shpejtësi në fushë nga ana e miqve, të cilët kanë kërkuar që të kthejnë baraspeshën, por kanë harruar mbrojtjen. Gjyqtari i katërt ka dhënë dhe katër minuta shtesë, të cilat e kanë gjetur Vllazninë në sulm. Gjatë minutave shtesë, shkodranët ndërtojnë një sulm të shpejtë, por ajo që të bënte përshtypje ishte pikërisht hezitimi i mbrojtjes dhe portierit mik. Futbollistët e Flamurtarit ishin totalisht pasiv në fushë. Por shkodranët kanë vazhduar aksionin, duke shënuar përsëri me Sukajn golin e tretë. Pavarësish hezitimit të vlonjatëve në fund, duhet thënë se ka qenë një fitore e merituar e Vllaznisë.
Dinamo-Elbasani - Në një ndeshje pa shumë emocione, përtej veprimeve spektakolare të dyshes sulmuese blu Plaku e Bakaj, Dinamo ka fituar vetëm përmes dy goditjeve standarde, ndërsa Elbasani, me gjithë emrat që ka, vazhdon të kalojë situata të turbullta. Goli i avantazhit ka ardhur përmes një goditjeje standarde, të cilën Bakaj, edhe pse në pozicion diagonal me portën elbasanase, ka ditur ta dërgojë topin në formë “parabole” mbi portierin Osmani. Sejdini ka pasur kundërshtitë e tij për këtë gol, ndërsa pas ndeshjes ka pretenduar për një faull të dinamovitëve ndaj portierit Osmani. Pikërisht kur Sejdini kishte bërë dhe zëvendësimin e tretë, vjen edhe goditja më e rëndë për verdheblutë. Osmani ka penguar Plakun në një vërshim të tijin drejt portës elbasanase dhe gjyqtari Meta ka dhënë kartonin e kuq për të. Në portë hyn Vrapi, ndërsa Plaku ka qenë i saktë në goditjen e tij dhe 2-0 për dinamovitët.