Mediu-Hermmann: Do të thellohet bashkëpunimi me OSCE-në në fushën e mjedisit

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave do të forcojë bashkëpunimin me OSBE-në në fushën e pjesëmarrjes së publikut në vlerësimin e ndikimit në mjedis, u theksua në Tiranë në një takim me titullarin e kësaj ministrie, Fatmir Mediu, me zv.ambasadoren e përgjithshme të OSBE, Renata Hermmann. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, në një njoftim për shtyp, bëri të ditur të shtunën se, "bashkëbiseduesit diskutuan mbi sensibilizimin e popullatës për ruajtjen e mjedisit dhe dhënien e vazhdueshme të informacionit për të". Ky takim u mbajt në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me OSBE-në në fushën e mjedisit. OSBE ka qenë e pranishme në fushën e implementimit të Konventës së Aarhusit "Konventa mbi të Drejtën e Informimit, Pjesëmarrjes së Publikut në Vendimmarrje dhe të Drejtës për t’ju Drejtuar Gjykatës për Çështje Mjedisore". Gjithashtu, mes dy palëve ka pasur memorandume bashkëpunimi, të cilat kanë dhënë shtysë për ecurinë e projektit në fushën e informacionit mjedisor dhe zbatimin e kërkesave të Konventës së Aarhusit në Shqipëri.
...