E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: I dhamë PD 4 mandate, vend në qeveri

 

Partia Republikane pri-tet të kërkojë të mbajë një post ministror në kabinetin e ardhshëm të kryeministrit Berisha. Këtë e la të kuptohet dje kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, i cili gjatë një konference për shtyp deklaroi se veç një mandati që u fitua në Tiranë, PR-ja me votat e saj i dha PD-së edhe katër mandate të tjera deputetësh. “Partia Republikane do të jetë në qeveri sipas kontributit të dhënë. Do të kërkojmë përfaqësim, sipas asaj, që kemi dhënë”, theksoi Mediu. Në të njëjtën kohë kreu i republikanëve akuzoi drejtuesit e lartë të PD-së për fushatën e ashpër në bazë kundër aleatëve të kësaj partie. Duke iu referuar një deklarate të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Mediu tha se PR-ja u dëmtua pikërisht nga aleati i saj i madh. “Me përjashtim të zotit Berisha, ishin të paprecedentë dhe të turpshme thirrjet publike të drejtuesve të PD-së, drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane apo thirrjet se vota për PR-në është votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Kjo jo vetëm ishte një gënjeshtër e madhe, por dhe mosrespektim i marrëveshjes, e cila kishte përcaktuar qartë detyrimet e secilës palë”, theksoi më tej Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›