PS s’njeh humbjen në zgjedhje
Aristir Lumezi
Partia Socialiste nuk njeh humbjen në zgjedhje. Kryetari socialist Edi Rama, gjatë një takimi që ka zhvilluar dje në hotel “Tirana” me 140 kandidatët e listës së PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe kryetarët e pushtetit vendor të PS-së, mori mbështetjen e tyre se s’duhet të largohet nga drejtimi i PS-së. Sipas deputetëve prezentë në këtë takim, PS-ja nuk ka humbur, përkundrazi ka marrë më shumë vota në të gjithë vendin, madje duhet të kontestojë rezultatin në Berat, Fier, Shkodër dhe Tiranë. Deputetët socialistë dhe kryetarët e bashkive dhe komunave që drejtohen nga socialistë i dhanë mbështetje të plotë Edi Ramës dhe askush nuk e konsideroi rezultatin e zgjedhjeve humbës. Kreu socialist gjatë fjalës së tij i ka kërkuar deputetëve dhe kandidatëve që të mbledhin sa më shumë fakte, që dëshmojnë se janë bërë manipulime në qendrat e votimit, duke zvogëluar në këtë mënyrë votat e PS-së. Si pikë kyçe e kontestimit të rezultatit ka qenë qarku i Fierit, për të cilin socialistët pretendojnë mandatin e nëntë. Por ky pretendim ka sjellë dhe kërkesat e tjera si në Shkodër dhe në qarqe të tjera. Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi është shprehur se, “PS-ja është fituese dhe s’duhet të pranojë humbjen. Jam i bindur se në Shkodër ne kemi edhe një deputet, prandaj duhet të kërkojmë rinumërimin e votave në këtë qark”. Në këtë klimë të krijuar nuk kanë munguar deklaratat e Erion Braçes, i cili ka mbështetur kërkesën për ankimimin e qarkut të Beratit dhe nxjerrjen në rrugë të njerëzve në protesta. Madje, Braçe i ka kërkuar kryetarit socialist Edi Rama që të jetë në krye të protestave të popullit për votën e mohuar. “Kjo që po ndodh ka një problem shumë të madh, po krijon precedentin që askush të mos ketë besim që PS-ja të mundë Sali Berishën. Nëse nuk ngremë popullin në protesta për të mbrojtur votën e tij, mbështetja jonë do të bjerë ndjeshëm dhe s’do na votojnë as gjysma e tyre në zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur Braçe. Deputetja e Durrësit, Rudina Seseri, i kërkoi Ramës të mos largohet nga PS-ja, ndërsa u shpreh se “elektorati ynë kërkon burra të fortë si Gramoz Ruçi dhe Erion Braçe”. Deputetët socialistë kanë dhënë mesazhin gjatë këtij takimi se do të jenë bashkë me kryetarin Rama në betejën për mbrojtjen e votës në të gjitha instancat dhe format e protestës, sepse socialistët nuk figurojnë sipas tyre humbës. Në qendër të takimit ka qenë dhe qarku i Fierit dhe mandati i nëntë në këtë qark. Madje, deputetët që diskutuan në këtë takim e kushtëzuan këtë mandat me mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një nga diskutantet më aktive në takimin e djeshëm, Ermelinda Meksi, kërkoi që “ky mandat të kërkohet me çdo kusht dhe të ndiqen të gjitha instancat ligjore, pasi populli i qarkut të Fierit ka votuar PS-në”.
Koçi jep dorëheqjen nga drejtimi i PSV ’91
Drejtuesi i PSV ’91, Petro Koçi, i ka paraqitur dje kryesisë së partisë së tij dorëheqjen. Këtë veprim Koçi e ka bërë për shkak të rezultatit të ulët që kjo parti pati gjatë këtyre zgjedhjeve, ku nuk arriti të marrë asnjë deputet. Burime nga kryesia e PSV ‘91 pohojnë se nuk është pranuar dorëheqja, dhe ai do të qëndrojë në detyrë deri në mbajtjen e kongresit zgjedhor të kësaj partie, ku do të zgjidhet dhe kryetari i ri. Mësohet se Koçi ka dashur të tregojë me këtë akt civil se në politikën shqiptare pas çdo rezultati të dobët në fushatat elektorale, drejtuesit e partive duhet t’ia lenë stafetën njerëzve të tjerë. Partia e drejtuar nga Koçi, pjesë e koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim” nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti në parlamentin e ri.