E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhen skelat për restaurimin e kalasë

08/07/2009  Projekti, 7 milionë lekë

DURRES- Fillon restaurimi i murit të kalasë në afërsi të Amfiteatrit të Durrësit dhe shëtitores “Taulantia”. Vetëm një javë pasi drejtori i Departamentit të Monumenteve në Durrës, Edlir Tërpi, ka bërë të qartë se do të nisin disa investime paralele për restaurim të monumenteve të rëndësishme, në Durrës janë lartësuar skelat tek kalaja. Grupe restauratorësh dhe arkitektësh kanë përfunduar tashmë të gjithë projektin që do të kërkojë 7 milionë lekë për t’i rënë qark e qark kalasë. Rruga që vijon tek monumenti Mujo Ulqinakut në hyrje të shëtitores “Taulantia” deri në anën perëndimore të Amfiteatrit është rehabilituar tërësisht për shkak se në këtë zonë gjendet monumenti i shek. II Amfiteatri, Torra Veneciane dhe muri i kalasë të gjitha këto monumente me shumë vlerë turistikë, arkeologjike e historike. Dje paradite janë vendosur skelat në një pjesë të murit të lartë dhe restaurimi do të vijojë brenda pak kohësh për të përfunduar me ardhjen e pranverës. Fill pas këtij investimi është thënë se do të restaurohet Depo e Kripës, Bazilikaj në Arapaj, Torra Veneciane, Kalaja e Rodonit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›