E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermonela Jaho, me Violetën në 39 vende të botës

 

Edlira DEDJA*

"Është hera e parë që rigjej Maria Callasin pas shumë vitesh". Kështu do të shprehej një artiste zvicerane, pasi dëgjoi Violetën shqiptare, Ermonela Jaho. Pak ditë më parë, më 3 korrik 2009, në orën 20:00 është bërë transmetimi live i operës "La Traviata" të G.Verdit, me regji të Klaus Michael Grüber në 39 vende të botës, si dhe është transmetuar me ekrane gjigande në disa qytete të Francës (Chambéry, Grenoble, Saint-Etienne, Valence, si dhe në festivalin "Les Nuits de Fourvières" në Lyon). Protagonistja kryesore e kësaj opere ishte një nga sopranot më të suksesshme shqiptare e kohëve të fundit, Ermonela Jaho. Kjo ngjarje e rrallë artistike u ndoq nga miliona telespektatorë, të befasuar nga interpretimi i këtij talenti shqiptar, që në një kohë rekord i pushtoi skenat më të mëdha ndërkombëtare si Metropolitan Opera e New York-ut, Covent Garden-Londer, La Scala-Milano, Staatsoper-Berlin, Opernhaus-Zürich, Opera Bastille-Paris, Opera në Filaderfia, Toronto, Helsinki, etj.. Vetëm kanali i njohur "MEZZO classic" numëroi mbrëmjen e 3 korrikut, rreth 20 milionë telespektatorë, që e ndoqën këtë transmetim direkt nga Opera Shtetërore e Lyon-it. Për këtë arsye, ata vendosën ta ritransmetojnë edhe dy herë të tjera suksesin e jashtëzakonshëm të sopranos shqiptare, në datat 11 korrik (ora 17:00) dhe 23 korrik 2009 (ora 10:00). Ermonela Jaho, që e këndonte për të njëqindën here këtë opera të Verdit, suksesit me të njëjtin rol në "Metropolitan Opera" të New Yorkut e "Covent Garden" të Londrës, u prezantua edhe kësaj here përpara publikut francez në fillim të sezonit veror 2009, në Operën Nacionale të Lionit. Drejtuesja e emisionit të "MEZZO clasic" e nisi me këto fjalë prezantimin e Ermonela Jahos: "Sopranoja e re shqiptare e ka kënduar fillimisht rolin e Violetës në moshën 17-vjeçare. Në vitin 2005, "Traviata" e saj e parë në operën e Marsejës do të parapërgatiste triumfin që pati në janar të 2008-s në Covent Garden të Londrës, ku ajo zëvendësoi Ana Netrebkon. Një prezencë manjetike dhe një zë hyjnor: kjo grua e re mishëroi një Violetë të paparë deri më sot, duke alternuar vokalin e saj të mrekullueshëm me forcën e saj të pakrahasueshme të interpretimit". Ndërsa dirigjenti Gérard Korsten u shpreh se kishte fatin të prezantonte përpara publikut francez një këngëtare-aktore të cilësisë më të rrallë. Interpretimi i saj karakterizohej nga një forcë shprehëse spontane dhe natyrale, e cila e bënte për vehte menjëherë spektatorin që në skenën e parë të operës. E më pas, zëri i saj sensual mbushej pak nga pak me thellësinë lirike e dramatike të veprës, veshur me emocione dhe një feminilitet të rrallë, duke shprehur instiktet më të holla dhe më të thella të personazhit. E po ashtu, me një shqiptim të shkëlqyer të gjuhës italiane… Timbri i saj i ndritshëm dhe harmonik transmetoi emocione të forta, alternuar me një lojë të brishtë e njëkohësisht sensuale, tronditëse për publikun që e shoqëroi me ovacione të gjata daljen e saj në skenë në fund të shfaqes.
"Addio del passato" e saj në aktin e fundit mishëroi me vërtetësinë më të madhe vdekjen që trokiti në derë, lamtumirën e ditëve të arta të rinisë dhe Ermonela Jaho, edhe një herë tjetër e tërhoqi me vete të gjithë auditorin, spektatorët dhe telespektatorët që e ndiqnin, deri në thellësitë më intime të kësaj drame romantike, duke përcjellë emocionet e gjalla të dhimbjes më të thellë. Ajo u ngrit sublime në notat e fundit të operës, me duart që i vibronin nga dhimbja, ngashërimat dhe spazmat e brendshme, duke krijuar përshtypjen se u shua në skenë, së bashku me personazhin e saj.
Do të ishte e udhës që edhe telespektatori shqiptar të njihej me këtë ngjarje artistike të përmasave botërore, mbasi do të ndihej krenar dhe i nderuar për respektin dhe adhurimin e madh që po i bëhet këto ditë artit dhe kulturës shqiptare nëpërmjet talentit dhe interpretimit të Ermonela Jahos. Nëpërmjet artit të saj, ajo ka nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, në këto momentet kyçe kur vendoset fati dhe e ardhmja e vendit të saj. Ermonela Jaho ka qenë ambasadorja më e denjë e kombit e saj, duke e bërë të vibrojë ndërgjegjen evropiane nëpërmjet forcës së saj të interpretimit, që buron nga kultura e lashtë e popullit të saj. Sot kam marrë me dhjetëra mesazhe urimi nga artistë të njohur, ashtu si edhe nga qytetarë e artdashës të huaj, të cilët e kanë ndjekur transmetimin televiziv. "Nga më të bukurat që kam dëgjuar, me të vdekur e të gjalla, të marra së bashku! - u shpreh violinisti shqiptar, Tedi Papavrami.
*Pianiste, presidente e " Opéra sans frontières " Zvicër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›