E Diel, 1 Nëntor 2026

Biks Aliu: Nuk kemi mbështetur negociata politike mes partive

 

Ambasada amerikane bëri të ditur dje se nuk ka ndikuar mes aktorëve politikë në vend për koalicionet paszgjedhore. Zëdhënësi i ambasadës, Biks Aliu, tha gjatë një prononcimi për mediat se “Ambasada është në dijeni të aludimeve nga qarqe të caktuara që nënkuptojnë një mbështetje nga SHBA për negociatat politike në vazhdim mes aktorëve të ndryshëm politikë. Këto aludime janë tërësisht të rreme”, ka deklaruar zëdhënësi. Ndërkohë ambasadori Xhon Uidhërs bëri thirrje pak ditë më parë për formimin e një qeverie që të punojë për të gjithë shqiptarët. Sipas tij, në zgjedhjet e 28 qershorit e majta dhe e djathta kanë dalë pranë njëra-tjetrës. “Pika kritike që do veçoja është që treguan një ndarje thuajse 50 me 50, për sa i përket preferencave të votuesve. Eshtë shumë e rëndësishme që qeveria tjetër të kuptojë që duhet të qeverisë jo në emër të 50 për qind të atyre që votuan për të, por të shtrijë dorën te gjysma tjetër e popullsisë që është qartësisht e interesuar në përmirësimin e Shqipërisë. Dhe të përpiqet ta bashkojë kombin për të mirën e tij të përbashkët”, tha Uidhërs.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›