Mediu: Ligji i ardhshëm elektoral mund të jetë përsëri produkt i dyshes PD – PS

Reforma zgjedhore rrit skepticizmin e të vegjëlve
Pas “protestës” së shfaqur në mbledhjen e fundit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, partitë e vogla janë pozicionuar dukshëm në kondita kundërshtuese ndaj dy partive të mëdha PD dhe PS. Partitë e majta dhe të vogla janë të mendimit se reforma zgjedhore do jetë sërish produkt i dy partive të mëdha politike.
Kësisoj, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu thotë se mos përfaqësimi i partive të vogla me ekspertë në komisionin ad hoc të reformës zgjedhore dhe vendimmarrja nga partitë e mëdha dëshmojnë synimin e dy forcave kryesore politike për të ndryshuar sërish Kodin sipas dëshirës.
“Handikapi i parë i këtij komisioni është padyshim mos përfaqësimi i partive politike, që janë pjesë e këtij komisioni, me ekspertë teknikë. Pastaj çështja është në hapin e dytë, atë të vendimmarrjes së këtij komisioni. Është lënë që çdo vendim duhet të kalojë me mirëkuptimin e dy partive të mëdha, që do të thotë se partitë e vogla dalin në caqet e një onturazhi se sa të një qëndrimi konkret që mund të marrim. Shikohet një tendecë që të përdoren partitë e vogla deri në atë moment që dy partitë e mëdha do të miratojnë ato vendime që janë në interes pikërisht të dy partive të mëdha dhe në momentin e fundit, siç edhe ka ndodhur në komisionet e tjera, do lihen menjanë shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionin e Kuvendit, zgjedhjet dhe administrimin e tyre”, u shpreh Mediu.
Kreu i PR, Mediu deklaron se që nga mbledhja e parë e komisionit për reformën elektorale nuk ka pasur asnjë komunikim teknik apo politik për vijimësinë e punës për një reformë gjithëpërfshirëse.
“Nuk ka patur ndonjë diskutim tjetër as të nivelit teknik, të paktën në dijeninë tonë, por as në nivelin politik. Mund të ketë diskutime mes PD-së dhe PS-së, por jo me ne. Unë ritheksoj edhe njëherë, nëse flasim për një shtëpi të përbashkët, që është një koalicion ekzistues, duhet të ketë një qëndrim dhe vendimmarrje të përbashkët”, tha Mediu.
Për kreun e PR-së për zgjedhjet me standarde do të mundësoheshin nga një sistem proporcional rajonal me garë preferenciale, duke hequr dorë nga listat e mbyllura.