E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardet e dyfishta të Edi Ramës, në seancë mungoi edhe Pandeli Majko

18-12-2011 / Gazeta 55

Përjashtimi i Kastriot Islamit nga grupi i deputetëve të PS-së

Një nga figurat kryesore të PS-së, Kastriot Islami rrezikon të përjashtohet nga kjo parti, me argumentin se ka munguar në seancën parlamentare të mes javës, gjatë votimit për kreun e KLS-së, Bujar Leskaj. Pra thjesht se ka munguar.
Vendimi pritet të merret të martën në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Por ky nuk është thelbi i çështjes, pavarësisht se demokracia e brendshme në partinë e Edi Ramës, cenohet edhe më këtë akt. Problemi qëndron se i njëjti parim që ndiqet për të përjashtuar Islamin nuk ndiqet për të përjashtuar një tjetër socialist që mungoi atë ditë, një tjetër figurë kryesore e partisë, Pandeli Majkon.
Standardi i dyfishtë është i qartë, për të njëjtën të ashtuquajturën thyerje të vendimit të Grupit, Islami përjashtohet Majko jo.
Të njëjtin problem ditën e votimit për Leskajn pati edhe Partia Demokratike, madje më të agravuar. Atë ditë, ndërkohë që dy deputetët Majko dhe Islami thjesht munguan në seancë, tre deputetë të Partisë Demokratike, jo thjesht munguan në seancë, por votuan kundër kandidaturës së Leskaj, duke thyer hapur vendimin e Grupit.
Partia Demokratike nuk ndërmori asnjë vendim, përkundrazi, lideri i mazhorancës Sali Berisha, i pyetur nëse kjo ishte një shthurje e grupit të PD-së, do të deklaronte në emision “Opinion”, nuk kishte asnjë shkelje. “Absolutisht jo. Kjo nuk regjistrohet në memorien e partisë. Sigurisht që ka memorie politike partia, çdo parti ka memorie. Por ky rast nuk regjistrohet”, tha Berisha.
Votimi për kreun e KLSH-së qe një ditë e rëndësishme për të kuptuar se kush nga dy partitë më të mëdha politike është më demokratike. Tre deputetët demokratë që votuan kundër vendimit të grupit, mund të ndjehen vërtetë demokratë, ndërkohë që dy deputetët socialistë që thjesht munguan, jo vetëm po kryqëzohen, por njëri ndjehet i nënës dhe tjetri i njerkës. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›