Mediu: Nuk do të lejojmë përçarjen e ish-pronarëve
Marrëveshja e re mes ish-pronarëve dhe “Polit të Lirisë” solli dje reagimin e kryerepublikanit Fatmir Mediu me sigurinë se PR-ja nuk do të lejojë që për interesa të ngushta personale, të përçahet uniteti me ish-pronarët. Që nga Librazhdi Mediu u bëri thirrje të gjithë ish-pronarëve që të mos lejojnë individë të caktuar që t’i përfaqësojnë, individë që, siç u shpreh ai, "për interesa personale politike kërkojnë të prishin marrëdhënien midis PR-së dhe ish- pronarëve". Mediu cilësoi në fjalën e tij se ''që në themelimin e saj, PR-ja ka kërkuar kthimin e pronës te pronari i ligjshëm, duke ngritur zërin në Parlament, për legjislatura të tëra, mbi plotësimin e kërkesave të ish-pronarëve, si asnjë forcë tjetër politike si në mazhorancë dhe në opozitë". ''PR-ja është e bindur se duke u kthyer prona te i zoti, Shqipëria do të ketë zhvillim ekonomik dhe se zgjidhja e çështjes së pronës është elementi kyç për anëtarësimin në BE", - tha ai. Z. Mediu theksoi dhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor, në mënyrë që vota e shqiptarëve të jetë e pakontestueshme, pasi, siç cilësoi ai, "këto zgjedhje do të jenë përgjigja më e mirë për arritjet dhe sukseset e mazhorancës në këto 4 vite në pushtet". "Besimi që do të na japin shqiptarët për një mandat të dytë, do të na inkurajojë në luftën e mëtejshme kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformave të suksesshme, në mënyrë që ashtu si arritëm te anëtarësimi i Shqipërinë në NATO, të anëtarësohemi dhe në BE".