Paloka: Asgje se ndal hetimin e Ramës
Pavarësisht padisë së Edi Ramës për paligjshmëri të hetimit parlamentar, PD-ja është e vendosur se asgjë nuk do ta ndalë hetimin ndaj korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. Sipas deputetit të PD-së, anëtar i komisionit hetimor, Edi Paloka, nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që të pengojë hetimin parlamentar të numrit një të bashkisë së kryeqytetit. Paloka shpjegoi dje se arsyet që Rama nxjerr, janë të pabaza, pasi mandati i Parlamentit mbaron me fillimin e mandatit tjetër. Deputeti demokrat kujtoi se ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese për një komision të ngjashëm dhe ai vendim nuk e ndalon dhe komisioni ka qenë komision i ligjshëm dhe ka çuar deri në fund hetimet e tij. |Sipas Palokës, të djathtët do të kërkojnë që Prokuroria e Përgjithshme të marrë në shqyrtim përveç dosjes së këtij komisioni, dosjen e atij pararendës dhe padinë e ish-ministres Esmeralda Uruçi, kur Rama ishte ministër Kulture. "Ne do të ndjekim dhe anën ligjore, dërgimin e dosjes në prokurori, duke i shtuar dhe dosje të komisionit hetimor të parë dhe këto që do të çojmë ne, vërtet bëhet një stivë e madhe dosjesh për Edi Ramen, që fatkeqësisht vazhdojnë të mbeten stivë aty. Urojmë që këto dosje të mos kenë fatin e të parave", - tha z. Edi Paloka. Edi Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e komisionit të dytë hetimor ndaj tij. Në padinë e depozituar pasditen e të mërkurës nga drejtoria juridike e Bashkisë së Tiranës, përveç ndërprerjes së veprimtarisë së komisionit, kërkohet dhe zgjidhja e konfliktit të kompetencave mes pushtetit vendor dhe atij legjislativ.