E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, USAID: Qeveria uli nivelin e korrupsionit



Qytetari shqiptar beson më shumë tek administrata publike dhe institucionet. Kjo, për faktin se qeveria përmes reformave ka ulur nivelin e korrupsionit në vend. Organizata IDRA, e mbështetur nga USAID, publikoi dje sondazhin “Perceptime dhe përvoja 2009”, i cili tregon se qytetarët besojnë se korrupsioni ka rënë në Shqipëri. Duke bërë një krahasim me vitin 2005, IDRA ka analizuar, duke pyetur rreth 1200 qytetarë dhe rreth 600 punonjës në publik, se perceptimi ndaj korrupsionit ka rënë. Sipas sondazhit, qytetarët mendojnë se administrata dhe institucionet e tjera janë më pak të korruptuara se një vit më parë. “Ka një rënie midis të intervistuarve, të cilët thonë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është “shumë i përhapur”, nga 57.1% në 2008, në 50.5% në 2009. Duke krahasuar këto të dhëna me ato të vitit 2005 shohim një rënie prej 16 pikë përqindje”, - thuhet në të thënat e publikuara dje nga IDRA. Sondazhi thotë më tej se perceptimi publik ndaj administratës publike është përmirësuar ndjeshëm. “Sektori publik ka një perceptim më të mirë se ai i publikut të gjerë mbi transparencën e institucioneve. Për të gjitha institucionet ka të paktën një diferencë prej 8 pikësh mbi transparencën e perceptuar midis dy kampioneve”, - thotë sondazhi, duke analizuar më tej se punonjësit e administratës kanë më shumë besim tek sektori publik sesa qytetarët e tjerë. Më pozitiv shihet Institucioni i Presidencës, mediat dhe shoqëria civile.

Qeveria

Sondazhi analizon më tej besimin e shqiptarëve me bindje politike. Vërehet se të djathtët kanë besim ndjeshëm tek reformat antikorrupsion që ka ndërmarrë qeveria, por ndërkohë edhe qytetarë me bindje të majtë besojnë tek reformat e kësaj qeverie. Në total, 30 për qind e qytetarëve me bindje të majta kanë besim tek reformat e kësaj qeverie. Ndërkohë që vetëm 4 për qind e të intervistuarve me bindje të majta mendojnë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është pakësuar në krahasim me një vit më parë, 37.2 për qind e të intervistuarve me bindje të djathta mendojnë po të njëjtën gjë. Sipas të dhënave, 60.4 për qind e të intervistuarve me bindje të majta mendojnë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është rritur gjatë vitit të kaluar, vetëm 22 për qind e të intervistuarve me bindje të djathta mendojnë të njëjtën gjë. Orientimi politik ndikon gjithashtu edhe në nivelin e besimit të qytetarëve kundrejt institucioneve të ndryshme. Të intervistuarit me bindje të djathta duket sikur kanë më shumë besim në institucionet shtetërore në krahasim me të intervistuarit me bindje të majta. Diferenca ndërmjet dy grupeve është 13 pikë. Në përgjithësi, të intervistuarit me bindje të djathta i vlerësojnë institucionet më pozitivisht se të intervistuarit me bindje të majta. Perceptimi i përgjithshëm i korrupsionit në 20 institucionet e vlerësuara është rreth 10 pikë më i lartë për të intervistuarit me bindje të majta. Nga ana tjetër, optimizmi ekonomik i gjykuar nga opinionet mbi situatën ekonomike në vitin e ardhshëm është pak më i mirë se në vitin 2008 dhe ende poshtë niveleve të sondazheve të viteve 2005 dhe 2006.

Sistemi gjyqësor

“Megjithëse besimi në sistemin gjyqësor është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2005, ende gjysma e qytetarëve shqiptarë, rreth 53.3% kanë “pak” ose “aspak” besim në të”, - kështu vlerësohet nga sondazhi situata në sistemin gjyqësor. Gjithsesi, numri i personave të cilët kanë “shumë” ose “disi” besim në sistemin gjyqësor është rritur me 12 pikë përqindje që nga viti 2005, nga 34.6% në 2005 në 46.6% në 2009. Një tjetër përmirësim i vërejtur është trajtimi që iu është bërë qytetarëve nga gjykatat. Në 2009, 73.3% e atyre, të cilët kanë pasur të bëjnë me gjykatat kanë thënë se janë trajtuar “mirë” ose “shumë mirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›