Zv.presidenti amerikan, Biden, së shpejti në Kosovë
Numri dy i administratës amerikane do të jetë në mes të majit në shtetin më të ri në Evropë, Kosovë, por nuk përjashtohet mundësia që ai të vizitojë dhe Tiranën. Zv.presidenti amerikan, Joseph Biden, pritet të zhvillojë një tur diplomatik në Ballkan, duke e nisur nga Kosova, për të treguar se SHBA-të nuk e kanë hequr nga axhenda e tyre diplomatike mbështetjen për Kosovën, edhe pse para dy muajsh ajo festoi njëvjetorin e pavarësisë. Lajmin e bën të ditur agjensia e lajmeve “New Kosova report” e cila i refe rohet televizionit kombëtar, RTK, i cili citon burime shumë të besueshme në Washington. Ndërkaq, nuk bëhen të ditur emrat e shteteve të tjera që do të prekë ky tur diplomatik amerikan, por nuk përjashtohet as Shqipëria. Biden është një nga senatorët më të flaktë në mbështetje të çështjes shqiptare. Ai ka qenë nismëtar i shumë rezolutave mbështetëse në Kongresin amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është pak të thuash që shqiptarët u gëzuan kur ai u zgjodh kandidat për zv.president e duket se ai do t’ua shpërblejë këtë gëzim, duke shkelur për herë të parë në Kosovë në fillimin e takimeve të tij në Ballkan. Pak kohë më parë, pikërisht në shkurt të këtij viti, Biden u takua me krerët kosovarë gjatë vizitës së këtyre të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, mundësia për të ardhur dhe në Shqipëri shtohet duke pasur parasysh se vetë Biden pranoi dëshirën për të vizituar Shqipërinë pas ftesës që i bëri Kryeministri Sali Berisha në një takim që patën gjatë Mëngjesit të Lutjeve në SHBA. Ndërkaq, nuk dihet akoma nëse Biden do të udhëtojë i vetëm apo me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, një tjetër partizane e çështjes shqiptare. Gjithsesi, kjo vizitë do të shtojë vëmendjen ndërkombëtare ndaj shtetit më të ri të Evropës dhe do të synojë që t’i japë atij një prioritet të qartë euroatlantik ashtu si vendet fqinje. Nëse Biden do të jetë dhe në Tiranë në maj, kjo do të jetë vizita e dytë më e rëndësishme që një zyrtar i lartë amerikan bën në tokën shqiptare, pas vizitës së Presidentit George W. Bush, vizitë e cila mbahet mend për deklaratën e fortë të bërë nga ai në selinë e Kryeministrisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Turi diplomatik i Biden-it pritet të sjellë dhe shpalosjen e politikës së administratës së re amerikane kundrejt Ballkanit. Pak për këtë gjë foli dhe Presidenti Barack Obama gjatë vizitës në Evropë në rastin e samitit të NATO-s. Ai mbështeti fort integrimin e këtyre vendeve në strukturat euroatlantike dhe nxitjen e paqes dhe stabilitetit.
Basha, Stanila, diskutohet pavarësia e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe ambasadori rumun në Tiranë, Viorel Stanila, diskutuan dje për çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal. Ministri Basha e konsideroi atë si të domosdoshme për proceset integruese rajonale, evropiane e më gjerë. “Pavarësia e Kosovës, zhvillimet pozitive në atë vend, ecuria e proceseve integruese të vendeve të rajonit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, forcojnë paqen në rajon, rrisin sigurinë dhe progresojnë drejt zhvillimit. Kjo frymë kohezioni dhe sinergjie shumëpalëshe nuk duhet të pengohet nga problematika të ngushta dypalëshe”, - u shpreh ministri Basha. Kurse ambasadori i ri rumun, Viorel Stanila, e falënderoi ministrin Basha për pritjen e rezervuar dhe shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar maksimalisht në nxitjen e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe. Mbasi përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE, ai theksoi se kontaktet tona do të vijnë duke u shtuar, në kushtet e një partneriteti euroatlantik, por edhe të një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal dhe evropian. “Shkëmbimi i vizitave në nivele të ndryshme politike, forcimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e shkëmbimeve tregtare, shkëmbimet kulturore, turistike etj. do t’i sjellin më afër dy popujt dhe vendet tona”, - nënvizoi ambasadori rumun në takim me ministrin e Jashtëm shqiptar. Po dje, ministri Basha priti edhe ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, rezident në Romë, z. Hiroyasu Ando, i cili është për një vizitë në Tiranë. Ministri Basha, pasi siguroi ambasadorin se investitorët japonezë ishin të mirëpritur në Shqipëri, e informoi atë së shpejti do të ftohej një grup miqsh nga Japonia, në kuadër të një programi që Ministria e Punëve të Jashtme po përgatit për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore të vendit tonë me vendet e tjera.