“Kufiri detar”, miratimi, në Parlamentin e ri
Kufiri detar i përcaktuar qartë në marrëveshjen Shqipëri-Greqi do të miratohet në Parlamentin e ri të pas 28 qershorit, për shkak se marrëveshje të një rëndësie të tillë duan kohë. Marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufijve të rinj detarë mes dy vendeve nuk do të kalojë në Parlament në këtë legjislaturë. Nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, bëri dje të ditur se një marrëveshje e kësaj rëndësie kërkon kohë të konsiderueshme për t’u shqyrtuar nga administrata e Kuvendit, ndërkohë që ka mbetur vetëm një seancë plenare. “Është një marrëveshje që do të kalojë në komisionet përkatëse. Nuk është në planin e Parlamentit për komisionet, kështu që është një procedurë e gjatë. Çdo marrëveshje që kalon nga qeveria, do të kalojë nga Parlamenti”, - shprehet Ceka. Ashtu si Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes dy ditë më parë, edhe nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, hodhi poshtë zërat se marrëveshja me shtetin helen cenon interesat e Shqipërisë. “Çdo zhurmë është e pabazuar. Është një punë e bazuar mbi stafet teknik[e, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare; asgjë s’mund të bëhet kundër interesave të Shqipërisë. Asnjë qeveri, asnjë person nuk mund të marrë hapa të tillë”, - thotë Ceka.