E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Nuk kam asnjë imunitet, kërkova gjykimin

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka reaguar dje pasdite për vendimin e Gjykatës së Lartë që pushoi çështjen ndaj tij. "Sot (dje, shën. red.) Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes karshi meje. Deklaroj se nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti në lidhje me këtë çështje dhe çdo çështjeje tjetër. Kam qenë dhe jam i bindur se vendimi më i drejtë është hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje deri në fund. Sqaroj opinionin publik se pozicioni im si ministër nuk më jep asnjë imunitet shtesë përveç atij të deputetit, për të cilin kam deklaruar se nuk e njoh dhe kërkoj drejtësi. Me kërkesën time, përfaqësuesit e mi ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit me anë të një memo", deklaroi Mediu me një njoftim prej katër pikash. Në fund të reagimit do të shtonte se "rideklaroj se që në fillim kam kërkuar zbardhjen dhe transparencë të plotë për tragjedinë e Gërdecit. Prandaj kam dhënë dorëheqjen si një akt përgjegjësie morale, kam deklaruar se nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështjeje". Në të njëjtën linjë me Mediun janë shfaqur edhe avokatët e tij në Gjykatën e Lartë, që kanë kërkuar vazhdimisht se dëshironin të përballeshin me prokurorinë në lidhje me akuzat, por prokurorët e çështjes e sollën procedimin në këtë pikë. Avokati i Mediut, Ardian Visha, u deklarua pas vendimit se "ai si avokat do preferonte një betejë gjyqësore me prokurorët, por, nuk pati fat, pasi prokurorët ishin të paaftë". Sipas tij, akuza veproi gabim me çështjen, kur fare mirë mund të kishte tërhequr akuzat para zgjedhjeve dhe për t‘i rifilluar tashmë kur Mediu ka marrë imunitetin e ri. Ai tha se procedimi hetimor i hapur nga prokuroria ishte fals dhe i sajuar, çka solli edhe pushimin e çështjes përfundimisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›