E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët: Vetëgjyqësi dhe grevë urie

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë që pushoi akuzat ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka ngjallur reagimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit, të cilët janë shprehur se ky vendim është njësoj si një vrasje e dytë për ta, dhe se do të kalojnë në vetëgjyqësi. Zamira Durda, nëna që humbi djalin e saj të mitur në tragjedinë e Gërdecit, pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve, shprehet e indinjuar për vendimin. Me lot në sy ajo shprehet se nuk po vendoset drejtësi për vdekjen jonatyrore të djalit të saj. "Se kuptoj pse nuk ngrihen këta njerëz, pse nuk kërkojnë të drejtë për fëmijët e tyre, lëre timin. Unë do vazhdoj të kërkoj të drejtën time. Dua një përgjigje, përse fëmija im nuk jeton. Nuk ia fal Mediut a kujtdo qoftë gjakun e fëmijës. Ai sot duhet të shkonte në shkollë, në klasën e tretë, por nuk është. Do kaloj në vetëgjyqësi, do bëhem kamikaze", shprehet e revoltuar Zamira. E vetmja familje që ka këmbëngulur për dënimin e autorëve ka qenë padyshim familja Durda, e cila me kryefamiljarin, Feruzin, kanë kërkuar vazhdimisht që autorët e vërtetë të ngjarjes së 15 marsit 2008 të marrin dënimin e merituar dhe jo të enden sa në njërën gjykatë në tjetrën. Ata kanë këmbëngulur se drejtësia nuk po vepron dhe janë të gatshëm që të kalojnë në vetëgjyqësi. Por ndaj kujt? Ndaj gjykatës që mori vendimin apo ndaj autorëve të masakrës...! Një tjetër paralajmërim për drejtësinë shqiptare ka qenë se ata do të futen në grevë urie deri në zbardhjen e së gjithë ngjarjes që mori jetën e 26 personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›