E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Living together”



Pyetja që lind është: sa dhe si influencon politika, ideologjia, besimi në kushte të rrënimit ekonomik dhe kulturor? Një aspekt tjetër i vëzhguar është marrëdhënia e njeriut me natyrën. Një nga zonat më të bukura në Shqipëri, me liqenet e Ohrit dhe Prespës, përballet me problemin e ndotjes, mungesës së një strategjie ekologjike dhe çfarëdo lloj mbrojtjeje për faunën dhe florën. Fotot e marra janë dokumente të këtyre vëzhgimeve

“Living together” është një kërkim i shkurtër fotografik në disa aspekte të përgjithshme që realiteti shqiptar ofron për vëzhguesin e interesuar. Synimi i këtij projekti është evidentimi i kontrasteve që ekzistojnë në përballjen me diversitetin njerëzor, me pranimin dhe format e ndryshme të reagimit ndaj tij. Më tepër se sa një titull propagandistik ky togfjalësh është një përmbledhës i asaj që vëzhgimi i shpejtë konkludon kur viziton një zonë të caktuar apo një qytet në Shqipëri. Në rastin tonë u përzgjodh Korça dhe rrethinat e saj, kjo për arsye të historikut të këtij qyteti, minoriteteve që jetojnë në fshatrat përreth, zhvillimin urban, stilit dhe elementëve arkitektonik të tij.

Një qytet që përballet me vështirësi të mëdha në gjetjen e ekuilibrit ndërmjet ruajtjes dhe konservimit të së shkuarës dhe dëshirës për t’u zhvilluar. Zhvillimet e viteve të fundit së bashku me fenomenet që i kanë shoqëruar, kanë lënë gjurmën e tyre në transformimin e realitetit në këtë zonë. Ajo që bie më shumë në sy në këtë qytet është pjesa e vjetër e tij, një nga më të bukuritë në Shqipëri, i cili përballet sot me mungesën e politikave dhe rrjedhimisht dhe fondeve për ruajtjen e tij dhe me rrezikun e shkatërrimit për arsye përfitimi. Vëzhgimi është fokusuar edhe në aspektin ekonomik, se si ky aspekt mund t’i japë qyteteve në një të ardhme, një pamje tjetër.

Ajo që ndodh në zonat rurale e fshatrat përreth duket se mbart më tepër një problematikë braktisje, migrimi masiv se sa transformimi real. Fshatrat përballen me procesin e largimit dhe rrënimit gradual. Një fshat si Liqenasi (një fshat kufitar mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë) që vuan izolimin dhe shkëputjen nga zona përreth duket i influencuar nga një lloj politike ndasie nacionale që evidentohet në sloganet e shkruara nëpër mure në gjuhën maqedonase ndërkohë që shfaqet i rrënuar krejtësisht ekonomikisht, një fshat që fjala integrim perceptohet si kërcenim, si asimilim i identitetit, ku mospranimi i së ndryshmes apo refuzimi i tjetrit për arsye race, kulture dhe feje është kthyer në reciprocitet. Në përgjithësi në këto zona, përfshirë edhe qytetin e Korçës vihet re një mbizotërim i investimeve në objekte fetare (kryesisht kisha ortodokse) edhe në rastin e Liqenasit i vetmi ndërtim i ri në fshat është kisha (e pambaruar ende). Pyetja që lind është: sa dhe si influencon politika, ideologjia, besimi në kushte të rrënimit ekonomik dhe kulturor? Një aspekt tjetër i vëzhguar është marrëdhënia e njeriut me natyrën. Një nga zonat më të bukura në Shqipëri, me liqenet e Ohrit dhe Prespës, përballet me problemin e ndotjes, mungesës së një strategjie ekologjike dhe çfarëdo lloj mbrojtje për faunën dhe florën. Fotot e marra janë dokumente të këtyre vëzhgimeve. Ato njëherazi janë qëndrime interpretuese që synojnë sensibilizimin dhe meditimin mbi realitetin tonë, pranimin dhe prezantimin si vlerë të asaj që thjesht është ndryshe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›