E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Prokuroria po më gjykon politikisht



Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, vetëm një ditë pasi iu komunikua akuza nga Prokuroria, e quajti një farsë hetimin e tij për çështjen “Gërdeci”. Nga foltorja e Kuvendit, Mediu pohoi se Prokuroria po e heton atë politikisht dhe në bazë të thashethemeve. Mediu akuzoi organin e akuzës se në vend që t’i referohet të vërtetës, ajo po e heton mbi baza fjalë kafenesh, sipas të cilave ai ka pasuri të fshehur, si prona në afërsi të aeroportit, restorant në periferi në Tiranës apo fshat turistik. Ish-ministri i Mbrojtjes deklaroi se hetimi ndaj tij dhe 20 zyrtarëve të tjerë ka prapavijë politike. “Ky akt i organit të akuzës nuk ishte i papritur për mua, sepse veprimet e ndërmarra nga ky institucion, që nga kërkesa për heqjen e imunitetit si deputet, ishin tendencioze dhe kanë pasur vetëm një qëllim, dërgimin e kësaj çështjeje në gjykatë. Pavarësisht nga e vërteta dhe përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria kërkon vetëm të lajë duart, duke çuar më shumë se 20 zyrtarë të kësaj ministrie në dyert e gjykatës”, - tha Mediu. Ai më tej shtoi se akuzat e Prokurorisë ishin devijuar nga anashkalimi i ushtarakëve në bashkëpunimin me ta. Një tjetër akuzë e re e pabazë sipas Mediut, ishte mosrespektimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Sipas Mediut, në bazë të kësaj marrëveshjeje, duhet të demontoheshin armët dhe municionet e tepërta deri në vitin 2010 dhe sipas tij, ministria arriti të demontonte 20 mijë tonë municione për dy vite e gjysmë. “Mbas tragjedisë, Prokuroria nxitoi të deklaronte publikisht se ministri i Mbrojtjes ka shmangur Forcat e Armatosura, deklarim që synonte të krijonte përshtypjen se pas kësaj ngjarjeje fshihej interesi privat. Dje Prokuroria ndryshoi akuzën, duke më akuzuar tashmë se kam bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes. Po, e kam bërë një gjë të tillë, pasi kjo ka qenë pjesë e detyrimit tim ligjor si ministër. Ne kemi punuar me bindjen se municioni i tepërt ishte dhe është një rrezik real për Shqipërinë. Prokuroria më akuzoi se kam mbrojtur një kompani shqiptare, më pas një amerikane, të quajtur SAC. Më akuzuan se kam bashkëpunuar me Delijorgjin. Unë them se kam bërë demontimin në bazë të ligjit. Dje prokuroria më akuzoi se nuk kam zbatuar MSA-në sa i përket demontimit të armëve. Më akuzuan se kompania nuk kishte paguar 4 029 dollarë tatime. Se ç’lidhje kishte ministri i Mbrojtjes me tatimet e kompanisë”, - u shpreh Mediu. Të gjithë këtë proces Mediu e etiketoi si politik, që prapa tij fshihen koniunktura politike. Ai e konsideroi të pafalshme pavarësinë zero të organit të Prokurorisë. “Kam duruar çdo akuzë për shkak të atyre viktimave që duan zbardhjen e të vërtetës dhe kam vepruar në mënyrë institucionale sepse respektoj institucionet e këtij vendi. Për shpifjet në media ndaj personit tim unë i jam bindur vullnetit të mazhorancës dhe nuk kam kërkuar ndjekje penale për asnjë, pavarësisht shpifjeve. Por nëse Prokuroria kthehet në instrument të politikës, kjo jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme”, - deklaroi z. Mediu. Ish-ministri i Mbrojtjes shprehu bindjen se gjykata do të japë një vendim të drejtë, duke marrë përsipër përgjegjësitë politike ndaj të cilave Mediu u dorëhoq nga drejtimi i Mbrojtjes shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›