Mediu, bashkëpunim me Spanjën për përmirësimin e mjedisit
Në këtë takim merrnin pjesë ministra të vendeve të Mesdheut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Strategjia për ujërat është një dokument i rëndësishëm mbi bazën e të cilit do të orientohen politikat kombëtare të secilit vend anëtar të Mesdheut për mbrojtjen dhe mirëmenaxhimin e burimeve ujore. Takimi i Ministrave të Mesdheut ishte i një rëndësie të veçantë pasi i paraprin takimit të Qershorit, ku do të jenë të pranishëm kryetarë të shteteve dhe qeverive të Mesdheut. Gjatë aktivitetit Ministri i Mjedisit pati takime bilaterale me homologë të tij. Z. Mediu u prit në një takim edhe nga Ministrja e Mjedisit të Spanjës, Elena Espinoza. Në këtë takim dy ministrat diskutuan mbi çështjet e bashkëpunimit të mëtejshëm reciprok në fushën e mjedisit dhe gjithë sektorët që mbulohen nga mjedisi. Ministri Mediu prezantoi në takim përpjekjet e qeverisë shqiptare në administrimin e burimeve ujore, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave në vendin tonë. Qëndrimi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është se trashëgimia e pasur ujore e vendit tonë kërkon që këto pasuri të mirëmenaxhohen në mënyrë të integruar dhe mbi bazën e standardeve të Bashkimit Evropian.
Last Updated on E Premte, 16 Prill 2010 20:35