Zhduket në Bashki fondi prej 3.7 milionë lekësh për fëmijët në nevojë
Bashkia e Tiranës ka rreth katër vjet që gënjen fëmijët në nevojë të shkollave periferike të kryeqytetit me bluza e kapele. Ndërkohë që ky projekt i lëvruar nga fondet e Bashkisë duhet ti shpërblejë familjet e tyre dhe fëmijët me veshje mjete mësimore e libra shkollorë.
As më shumë e as më pak për katër vjet me radhë Bashkia e Tiranës ka zhdukur në njëfarë mënyre fondin prej 3.762.000 lekësh i cili gjatë kohës së verës shërben edhe si një kamp veror për fëmijët e vegjël që vijnë nga familjet në nevojë e që gjatë gjithë ditëve qëndrojnë për gjatë gjithë ditës me organizatorët e këtij projekti e që realisht duhet edhe të ushqehen për këtë kohë. Por i vetmi ushqim që ju jepet fëmijëve e shpërblimi për kohën e gjatë të qëndrimit si përfituesit direkt të këtij projekti janë vetëm disa bluza e kapele. Burime nga Bashkia e Tiranës kanë shpjeguar për gazetën SOT të gjitha detajet se si është shkelur në mënyrë të vazhdueshme me fondet e projektit i cili për një kohë të gjatë ka shërbyer vetëm për të mbushur xhepat e organizatorëve dhe drejtuesve të Bashkisë së Tiranës e punonjësve të minibashkisë pjesë e së cilës janë edhe shkollat përkatëse. Ideja e këtij projekti i cili zhvillohet në shkollat periferike të Tiranës ku janë është evidentuar edhe numri më i lartë i fëmijë me probleme të theksuara sociale është një vazhdimësi e projektit Të mësojmë duke vepruar por i konceptuar disi ndryshe në përshtatje dhe mbështetje të nevojave reale të fëmijëve, nxënës të shkollave 9-vjeçare. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës risitë dhe ndryshimet vit pas viti të këtij projekti kanë të bëjnë me fshehjen e fondeve dhe thjeshtimin e mënyrës së organizimit të aktiviteteve gjatë shkollave verore, në mënyrë që lëvrimi i fondit të bëhet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë e të jetë përfitim i pastër për të gjitha qarqet e organizuesve të cilët në këtë rast janë vetë drejtuesit e Bashkisë së Tiranës.
Shkollat
Ky projekt një nga pikat kyçe të tij ka edhe trajnimin e stafit mësimor dhe mbështetës që u përfshinë në projekt si dhe nxitjen e partneritetit shkollë komunitet familje. Në vitin 2009, projekti Shkolla Ndryshe u realizua në 10 shkolla publike të qytetit të Tiranës që janë: Shyqyri Peza, Hasan Vogli, Gjon Buzuku, Isa Boletini, Ibrahim Brahja, Qazim Turdiu, 28 Nëntori, Hasan Prishtina, Pal Ëngjelli, At Zef Pllumi, shkolla të cilat ndodhen përkatësisht në Njësitë Bashkiake nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.9 dhe nr.11 dhe janë identifikuar si të pozicionuara në zonat me popullatë në gjendje të vështirë social-ekonomike. Përzgjedhja e shkollave është bërë në bazë të zonave të Tiranës ku problemet social-ekonomike janë më të theksuara: Laprakë, Selitë, Kombinat, Kodër Kamëz, Kinostudio etj, zona në të cilat shënohet edhe numri më i madh i braktisjeve shkollore. Në të gjitha këto zona familjet e fëmijëve kanë ardhur kryesisht nga rrethet, sidomos nga zonat e varfra e të thella të vendit, si dhe familje rome dhe egjiptianë dhe vetëm një pakicë e tyre janë autoktonë. Familjet e këtyre fëmijëve janë të zhytur në një varfëri të tejskajshme duke i ekspozuar ndaj një serë problemesh si: varfëri e thellë, kushte të vështira banimi e higjenosanitare, papunësi të theksuar, niveli i ulët i arsimimit apo edhe mungesë arsimimi, niveli i ulët social dhe kulturor i familjeve. Në këtë kontekst u zbatua ky projekt, i cili ofroi një alternativë edukative ndryshe ndaj ambienteve të pasigurta si rruga gjatë periudhës së verës, duke mundësuar integrimin edukativ e kulturor, zbavitjen, nxitjen e krijimtarisë së fëmijëve që vijnë nga familje me probleme social ekonomike të qytetit të Tiranës dhe duke stimuluar bashkëpunim e ndërveprim, si dhe një proces të mësuari sa më pak të lodhshëm dhe më tepër tërheqës. Ky projekt sipas burimeve të Bashkisë gjatë përpilimit fillestar të tij ka pasur një nga qëllimet kryesore edhe shpërblimin e nxënësve me veshje, libra e me ushqim gjatë kohës së verës, kohë në të cilën zbatohet edhe ky projekt. Implementimi i projektit fillimisht siguroi një pjesëmarrje të konsiderueshme të nxënësve në numër nga të gjitha shkollat përfituese të projektit duke ofruar kështu mundësi më shumë argëtimi dhe përfitimi njohurish në aktivitetet e zhvilluara përgjatë ditëve në shkollat verore. Por kanë qenë vetë familjarët që dy vitet e fundit që nuk kanë lejuar pjesëmarrjen masive të fëmijëve në këto kurse verore.
Buxheti
Projekti Shkolla Ndryshe u miratua me Vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës Nr. 17, datë 17.07.2009 ashtu si çdo projekt tjetër për fëmijët për një periudhë të vazhdueshme prej katër vitesh. Fondi prej 3 762 000 lekë është lëvruar nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Ky projekt është realizuar në 10 shkolla publike 9-vjeçare të qytetit të Tiranës, të cilat janë identifikuar si të pozicionuara në zona me popullatë në gjendje të vështirë social-ekonomike të cilat janë: Shkolla Ibrahim Brahja, Shkolla Hasan Prishtina, Shkolla Pal Engjëlli, Shkolla Gjon Buzuku, Shkolla At Zef Pllumbi, Shkolla Shyqyri Peza, Shkolla Hasan Vogli, Shkolla Qazim Turdiu, Shkolla Isa Boletini, Shkolla 28 Nëntori. Kohëzgjatja e projektit: 4 javë mësimore gjatë periudhës 20 Korrik -14 Gusht 2009
Përfituesit
Përfituesit parësorë/direkt të këtij projekti ishin rreth 2100 fëmijë, vajza dhe djem, nga mosha 7-14 vjeç, të përfshirë në shkollat e lart përmendura, të Njësive Bashkiake nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.9, dhe nr.11 të qytetit të Tiranës. Përfituesit dytësorë/indirektë ishin prindërit e këtyre fëmijëve, familjet e tyre dhe komuniteti. Koordinatorët e minibashkisë përkatëse dhe mësuesit janë personat e përfshirë në zbatimin e këtij projekti.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Premte, 16 Prill 2010 21:32