E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu dhe Basha strategji për pyjet, ngrihen shtabet e mbrojtjes nga zjarri

Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu dhe ministri i Brendshëm Lulëzim Basha theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve nga të gjitha nivelet për të mbrojtur sa më efektivisht pyjet nga zjarri. Gjatë fjalës së tij, në ditën kombëtare të ruajtjes së pyjeve nga zjarri Mediu kërkoi në mënyrë të veçantë prefektëve të qarqeve të mbledhin urgjentisht shtabet e mbrojtjes nga

zjarri për të përcaktuar detyrat në këtë prag sezoni të nxehtë vere. Në mënyrë të veçantë do tu kërkoja prefektëve të qarqeve, të mbledhin urgjentisht shtabet e mbrojtjes nga zjarri, përkrah shërbimit pyjor dhe strukturave mbrojtëse nga zjarri ftohen edhe kryetarët e komunave, për të analizuar situatën e përcaktuar detyrat në të ardhmen, deklaroi Mediu. Më tej foli edhe ministri Basha, duke kërkuar ngritjen e  komisioneve të emergjencës civile në nivel qarku dhe komune, ku duhet të bëhet freskimi i pikave të kontaktit dhe verifikimi i gatishmërisë së tyre profesionale. Sipas Bashës i duhet kushtuar vëmendje objekteve të veçanta me rëndësi kombëtare. Zjarret nuk do të jenë më kërcënim për kullotat dhe pyjet gjatë sezonit veror. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me vendet fqinje dhe pushtetin lokal, kanë hartuar një strategji parandaluese. "Për shkak të natyrës komplekse dhe vështirësive që kanë operacionet e shuarjes së zjarrit, veçanërisht në terren të thyer, praktika ka treguar se një përballim me sukses kryhet vetëm duke u angazhuar plotësisht në tokë dhe në kuadër koordinimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Ministria e Brendshme ka bërë përpjekje që të sigurojë kontrata të favorshme dhe të bashkëpunojë me shërbimet e vendeve fqinje për mjete ajrore për shuarjen e zjarreve", tha Lulëzim Basha, ministër i Brendshëm. Ndërsa ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, kërkoi nga strukturat lokale të menaxhojnë sipërfaqet e mbjella me pyje dhe kullota, duke penguar zjarrvëniet e qëllimshme. "Gjatë vitit 2009 ne kemi nivel mjaft të ulët të dëmeve të shkaktuara, krahasuar me vitet e mëparshëm. Në punën e saj për menaxhimin e zjarreve, strukturat e Ministrisë së Mjedisit i kanë kushtuar një rëndësi të madhe sidomos zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, po pa neglizhuar qoftë dhe një pemë të vetme çdo pyll komunal apo rajonal, dhe ato që janë pyje kombëtar", tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit. Gjatë vitit të kaluar, situata e zjarreve në pyje, u mirëmenaxhua nga strukturat përkatëse, ndonëse nuk u mund të parandalohej zjarri në rreth 270 ha. U konstatuan 157 raste, 22 prej të cilave të klasifikuara si zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa u kallëzuan në prokurori 125 raste të tjera.

Last Updated on E Hene, 31 Maj 2010 21:00

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›