Kriza ekonomike rrezikon skemën e pensioneve, Banka Botërore paralajmëron pasojat
Rënia ekonomike globale do të ushtrojë trysni edhe mbi skemat publike të pensioneve të financuara, duke kufizuar, në të njëjtën kohë, kapacitetin e qeverive për t'i zbutur të dy këto efekte. Qeveritë po reagojnë ndaj këtyre zhvillimeve në mënyra të ndryshme.
Alarmi është dhënë nga një studim i Bankës Botërore, i cili përfundoi në prill të këtij vitit. Ndërkohë skema e pensioneve në Shqipëri është disa herë më e hapur ndaj rreziqeve. Reformat e fundit në këtë skemë kanë përkeqësuar bilancet. Kështu ulja e kontributeve për punëdhënësit nga 39 për qind në 12 për qind, jo vetëm që nuk rriti numrin e deklarimeve që ishte parashikuar pati dy efekte negative. Numri i kontribuuesve ra dhe të ardhurat nga kontributet për skemën u përgjysmuan pas uljes së kontributeve për punëdhënësit. Nga ana tjetër skema e pensioneve mbulohet në një përqindje të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, i cili në dy vitet e fundit rreth 66 për qind të produktit të përgjithshëm bruto i ka borxhe.
Sistemi
Sistemet e pensioneve janë strukturuar të funksionojnë në periudha të gjata kohore. Përgjigjet afatshkurtra të përgatitura dobët, ndaj ngjarjeve relativisht të rralla, mund të kenë pasoja afatgjata negative për kapacitetin e sistemeve të pensioneve për të siguruar nivele adekuate të ardhurash për pensionistët, thuhet në raportin e Bankës Botërore, të publikuar në faqen zyrtare të AMF. Sipas tij është e rëndësishme të vërehet se vetëm një numër i vogël pensionistësh preken nga kriza. Mund të shikohet mundësia e masave të synuara për zbutjen e humbjeve në kursimet e tyre dhe vlerën e pensioneve të tyre. Kriza e tanishme e forcon nevojën për sisteme pensionesh të diversifikuara me disa shtylla. Këto mundësojnë një diversifikim më të mirë të rreziqeve dhe, kështu, ofrojnë një mbrojtje më të mirë për personat që mund të ndodhen në pozita vëna re deri në gusht të këtij viti, kthimet reale për periudhën 2002-2008 shkonin nga 3% deri në 10% në vit, në varësi të llojit të portofolit. Ndërkohë mësohet se shumica e vendeve me pensione të mbuluara me fonde të detyrueshme kanë sisteme me disa shtylla në të cilat llogaritë individuale të mbuluara me fonde përbëjnë vetëm një pjesë të paketës së përgjithshme të pensionit të pleqërisë. Në shumicën e vendeve, individët në pension marrin edhe një komponent me përfitime të përcaktuara dhe shpesh ka pension minimal të garantuar. Të gjitha vendet në Evropën Lindore, të cilat futën skema të mbuluara me fonde, mbajtën edhe sistemin me përfitime të përcaktuara.
Humbjet në asete
Humbjet në vlerat e aseteve gjatë 12 muajve të fundit të raportuara nga fondet e pensioneve kanë qenë të konsiderueshme. Në vendet kliente me sisteme të mbuluara me fonde, këto humbje shkojnë nga 8% deri në 50%, bëjnë të ditur ekspertët e BB. Sipas studimit edhe pse këto humbje janë shqetësuese në periudhën afatshkurtër për pjesëmarrësit në skema, ato nuk duhen marrë si një tregues i performancës së përgjithshme afatgjatë të fondeve, e cila është perspektiva e rëndësishme për çdo sistem pensionesh. Madje, nga viti 1994 deri në fund të vitit 2007, në 13 vende për të cilat ka të dhëna, fondet e pensioneve të detyrueshme patën një normë vjetore reale kthimi 6% në vit. Edhe në vendet ku pensionet janë shumë të zbuluara ndaj luhatjeve të vlerës së aseteve financiare, në shumë raste pensionet minimale të garantuara i mbrojnë nga varfëria punonjësit me të ardhura të ulëta. Sigurisht, rënia e çmimeve të aseteve mund të vazhdojë t'i ulë ndjeshëm pensionet. Sipas BB vetëm një numër i vogël punonjësish do të dalin ne pension gjatë periudhës kur pensionet e tyre do të zvogëloheshin për shkak të rënies së vlerave të aseteve. Punonjësit që përballen me rënien më të fundit të pensioneve të tyre janë ata të cilëve u duhet të dalin në pension në mes të krizës dhe, në veçanti, ata të cilëve u është dhënë leja t'i transformojnë kursimet e tyre për pension në shumë vjetore. Shumica e vendeve me sisteme pensionesh të detyrueshme të mbuluara me fonde kanë sisteme të krijuara gjatë njëzetë viteve të fundit dhe, zakonisht, përfshijnë vetëm punonjës të cilët kishin më shumë se 20 vjet nga mosha normale e daljes në pension. Megjithëse disa i kanë lejuar punonjësit me moshë më të madhe të kalojnë në sistemin e mbuluar me fonde, me përjashtim të disa vendeve, normat për punonjësit në moshë më të madhe nuk kanë qenë shumë të larta. Rrjedhimisht, ka relativisht shumë pak individë që mbështeten shumë në një llogari të mbuluar me fonde të cilët do të dalin ne pension në periudhën afatshkurtër. Situata ndryshon nga rajoni në rajon. Në vendet në Evropën Lindore që i kanë reformuar sistemet e tyre në fillim të viteve '90, ata që e kanë mbushur moshën e pensionit do të dalin në pension pas 15 ose më shumë vjetësh dhe ata që do të dalin në pension pa e mbushur moshën pas 4 vjetësh.
Efektet e krizës në skemë
1 Ndryshimet e çmimeve të aseteve dhe rikuperimi i mundshëm në periudhën afatshkurtër
2 Pjesa e pasurisë së pensioneve që mbështetet nga asetet e llogarive individuale të mbuluara me fonde
3 Prania e pensioneve sociale minimale apo garancive që janë përfshirë në sistemin e pensioneve
4 Kërkesa dhe kuadri për llogaritjen vjetore të detyrueshme të tepricës së akumuluar në momentin e daljes në pension.
Ornela Manjani