E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu i jep partisë drejtim fetar, Berisha ndjek shembullin e Skënderbeut

Share

Ka qenë një ditë e mbushur me mesazhe interesante kjo e sotmja. Fillimisht ishte Fatmir Mediu, kreu i republikanëve, që mbiu në ekranet televizive dhe i pushtoi ato live për gati një orë. Foli për shumë gjëra, por interesantja ishte se ai ritheksoi se partia e tij do vazhdojë të mbajë qëndrime fetare. Në zgjedhjet e fundit lokale, kur ne vendosëm në mesazhin tonë Me besimin në Zot, familje, pronë, komb, pati edhe diskutime me shqetësimin që mos ti jepnim qëndrimeve tona një drejtim fetar. Partia Republikane flet për vlera morale, të cilat kanë ndërtuar një tradite të qëndrueshme në historinë tonë, por ne duhet të pranojmë se këto vlera dhe ky moral janë të lashta pothuaj sa njerëzimi dhe e kanë burimin tek librat e shenjtë, tek besimi në Zot dhe mesazhet e tij. Ky besim jo vetëm nuk krijon probleme, por përkundrazi ndihmon në zgjidhjet e tyre, keqpërdorimi i tyre prodhon probleme. Tokvili, një nga baballarët e të djathtës konservatore theksonte: Forca dhe fuqia e SHBA të Amerikës nuk qëndron tek ushtria e saj, as te lartësitë dhe madhështia e ndërtesave të shtetit, por tek besimi në Zot dhe vlerat që burojnë prej tij, tha Mediu.

Kurse nga Lezha, kryeministri Sali Berisha, që po hyn në listën e rekordeve të BE pasi për tre vjet rresht nuk ka marrë dot statusin e vendit kandidat për në BE. Berisha tha se Kosova u çlirua për shkak se Skënderbeu ishte në zemrat e luftëtarëve. Ndërkohë që armiku i kosovarëve na ka parakaluar në rrugën drejt BE, Berisha tha se nderimi më i madh që mund ti bëhet Skënderbeut është që të respektohet vokacioni i tij perëndimor. Skënderbeu është pra, shenjtori i lirisë, i trimërisë, i guximit të shqiptarëve, frymëzimi i tyre i përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin e tyre. Por, Skënderbeu është gjithashtu, vizionari i vokacionit perëndimor të Kombit shqiptar. Këtu, në këtë qytet shqiptarët lidhën besën të udhëhiqeshin nga prijësi i tyre legjendar për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, vlerat perëndimore të kombit, djepin në të cilin kishin lindur. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu, doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor, ndaj dhe sot, në këtë ditë, nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më i madh që mund ti bëjmë prijësit tonë legjendar Skënderbeu është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të bërë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›