Aleanca Kuq e Zi rrethon Berishën në Lezhë
Nga Lezha, Aleanca Kuq e Zi i kërkon qeverisë të ndalë nismën për të dhënë monumentet tona me qera
Qindra mbështetës dhe aktivistë të Aleancës Kuq e Zi u mblodhën mesditën e të premtes në sheshin ku qëndron monumenti i Besëlidhjes së Parë Shqiptare në qytetin e Lezhës. Edhe pse mitingu i tyre ishte ndaluar, sërish të rinjtë dolën në shesh duke sfiduar haptazi kryeministrin Sali Berisha, i cili kishte mbledhur disa nëpunës të shtetit dhe të bashkisë në takimin e tij.
Nën moton “Asgjë nuk kemi trashëguar nga prindërit tanë, çdo gjë ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë dhe gjeneratave që do të vijë” përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi folën për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore, e cila është shenja me e mire esenciale e një demokracie autentike. Ata thanë se që nga viti 2005 në kontinentin evropian është përjashtuar mundësia e dhënies me qera të monumenteve të kulturës. Për më tepër, në Shqipëri pas disa kohësh pronësie, objekti historik mund të kalojë në pronësi të qeramarrësit.
Duke folur në këtë takim, profesor Myslym Pashaj tha se duhet të bëhet unifikimi i kulturës, historisë dhe monumenteve të kulturës.
Aleanca Kuq e Zi ka angazhuar një ekip profesionistësh për të analizuar të gjitha monumentet e kulturës në vend dhe nxjerrjen në pah të problematikave dhe politikave vizionare për trajtimin e tyre, deklaroi Myslym Pashaj.
Përfaqësuesi koordinativ për Aleancën Kuq e Zi në rrethin e Lezhës, avokat Julian Kola, tha: Këta politikane na kanë ndarë, përçarë dhe copëtuar ndër vite, dhe sot vijnë në Lezhe pa u hyrë gjemb në këmbë dhe na flasin për ditën historike të Besëlidhjes së Parë në Lezhë. Ky është turp, dhe jo vetëm kaq.
Lideri i lëvizjes Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, u shpreh: “Ne nuk duhet të lejomë që ata që shitën detin dhe që po tentojnë të shesin shtetësinë shqiptare nuk duhet dhe nuk mund ti lejojmë që të bëjnë pazare me historinë tonë, historinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë. Në këtë dite të shënuar, larg retorikës dhe klisheve politike, ne i kërkojmë qeverisë shqiptare të tërhiqet nga vendimi i turpshëm për dhënien me qira dhe emfiteozë të monumenteve historike, qindra dhe mijëra vjeçare në Shqipëri.
Shteti ka dështuar përfundimisht dhe sot ska asnjë raport nga Ministria e Kulturës se çfarë ndodh me Lekurësin e Tavos të certifikuar nga Meta, apo Petrelën që është kthyer në një ekspozitor jo vlerash historike, por pulash të pjekura. Torra veneciane është e mundur të shihet vetëm nëse porosit birrë, në të kundërt të flakin jashtë privatet e Apollon Baçes. Lezha është shembulli më i ri i privatizimit modern alla Bumçi ku privati merr me qira që se paguan kurrë dhe e jep me qira kompanive celulare për të vendosur antena!? Vetëm në Shqiperi drejtori i monumenteve bërtet të shiten kalatë(!?) duke kujtuar hamburgerin që paska ngrënë në Pompei. Zhdukja e dëshmive historike nuk është gjë tjetër veçse përpjekja e radhës për të fshirë identitetin kombëtar në emër të përfitimeve personale, përfundoi fjalën e tij Kreshnik Spahiu.

