Meta: Fajin për statusin e ka politika. Unë kam prioritet komisionin e integrimit, jo qeverinë
Kryetari i LSI, ndryshe nga kryeministri, fajëson të gjithë politikën për dështimin me statusin dhe jo vetëm opozitën. I pyetur për hyrjen e tij në qeveri, Meta thotë se ka prioritet komisionin e integrimit. Meta thotë se vendit i duhet një president me integritet që garanton funksionimin e institucioneve në vend
Në intervistë për DW, kryetari i LSI, Iir Meta thotë se objekt i takimeve në Berlin ishte intensifikimi i kontakteve me forcat politike në Gjermani dhe në Bundestag dhe shkëmbimi i pikëpamjeve lidhur me progresin e mundshëm drejt BE-së. Në axhendën e vizitës në Gjermani ishin takimet me zëdhënësin për Politikën e Jashtme të grupimit më të madh në Bundestag, CDU CSU, Philipp Missfelder, zëdhënësin për Çështjet për Ekonominë të po këtij grupimi parlamentar Joachim Pfeiffer si dhe takimin me përfaqësuesin e Social Demokratëve në Komitetin e Jashtëm të Bundestagut, Dietmar Nietan.
Zoti Meta si do t’i vlerësonit takimet e zhvilluara gjatë qëndrimit në Berlin?
Janë tepër të dobishme. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për sfidat e mëdha që ndeshet BE-ja dhe vetë Gjermania, si një nga vendet me rolin shumë të rëndësishëm. Në këtë kuadër intensifikimi i takimeve dhe kontakteve janë shumë të rëndësishme që të mos humbitet vëmendja për Shqipërinë dhe Ballkanin. Në mënyrë natyrale vazhdon më pas edhe axhenda integruese.
Vendet e fqinje kanë bërë hapa para në integrimin Europian, e sidomos Serbia, e cila mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ndërkohë që Shqipëria ka marrë përgjigje negative. Ku ka mbetur integrimi i Shqipërisë sipas jush?
Unë dua të theksoj rëndësinë e progresit të të gjithë rajonit drejt BE-së. Hapi përpara i çdo vendi në rajonin tonë, është një hap para për rajonin. Shqipëria duhet ta kishte marrë kohë më parë statusin e vendit kandidat dhe kohë e çmuar është humbur në këtë drejtim. Vlerësimi im është se arsyeja kryesore ka qenë mungesa e përgjegjësisë së duhur dhe nivelit të duhur të politikës sonë, pa synuar për ta lokalizuar dhe specifikuar në mënyrë të veçantë. Në fund të fundit çdo lloj papërgjegjshmërie, kudo që ajo mund të veçohet apo të identifikohet, është një përgjegjësi që i mbetet klasës politike në vend. Unë e shoh të mundur që të ecet përpara në këtë drejtim. Duhet të kemi parasysh se do të kishte qenë më e lehtë pak kohë më parë se sa tani për të ecur me të njëjtin ritëm, sepse shumë sfida të reja kanë dalë tashmë për Bashkimin Europian dhe pavarësisht vendosmërisë për zgjerim, ne të gjithë e dimë që nuk ekziston ai entuziazëm që ka qenë më parë. Kjo duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për t’u rritur më tej dhe për të arritur ato standarde të domosdoshme që kërkon krijimi i besueshmërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Mbi baza nacionaliste në jetën politike shqiptare po bëhet e pranishme edhe “Aleanca Kuq e Zi”. Do jetë vërtet një faktor ajo në zgjedhjet e vitit 2013?
Shqipëria ka nevojë për energji të reja edhe në jetën politike, për të çliruar energji pozitive. Energji që na ndihmojnë për të ndërtuar më mirë çdo gjë, që nga institucionet, që nga besimi tek njëri-tjetri dhe besimi i qytetarit tek shteti dhe politika. Unë vlerësoj çdo iniciativë të re, çdo guxim për të sjellë lëvizje të reja në politikën shqiptare, por ato duhet të jenë konstruktive dhe në atë linjë që është i orientuar një objektiv mbarëkombëtar: integrimi europian.
Pak më shumë se një vit na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2009 koalicioni juaj me PD ishte fitues i zgjedhjeve. Si e shikoni ju të ardhmen e koalicionit PD-LSI në zgjedhjet e vitit 2013?
Për momentin ne duhet të përqendrohemi tek plotësimi i këtyre prioriteteve dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, ky do të jetë edhe preokupimi i LSI-së. Nëse vëmendja jonë do të ishte tek zgjedhjet e qershorit 2013, shumë nga këto reforma do të vonoheshin dhe komprometoheshin. Është e domosdoshme të hidhen disa hapa në drejtim të reformës zgjedhore, drejtësisë dhe disa problemeve të tjera që kanë mbetur pezull.
Mund të përkthehet kjo si një angazhim tuajin sërish në qeveri?
Angazhimi im është aderimi në Komisionin e Intergrimit Europian në Parlament. Ky është tregues i prioritetit kryesor të LSI-së dhe timit personalisht. Angazhimi im në qeveri unë mendoj se është një çështje që nuk përbën prioritet për mua dhe LSI-në. Ne jemi një forcë, e cila ka marrë përgjegjësinë për të bashkëqeverisur dhe kolegët tanë punojnë për të përfaqësuar këtë forcë politike me dinjtet dhe profilin e saj.
Së shpejti do të zgjidhet edhe Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Çfarë kushtesh duhet të plotësojë ai? Ka ndonjë emër konkret që LSI-ja mund të propozojë apo ta mbështesë?
Ne nuk nxitohemi për t’u bërë pjesë e një debati të parakohshëm, aq më tepër për ta personalizuar. Më i rëndësishëm është procesi. Ai duhet të jetë kushtetues, transparent, konstruktiv dhe në fund të dalë një president me integritetin e domosdoshëm për të garantuar funksionim e institucioneve në vend dhe të jetë një figurë e pranishme dhe e respektuar.