E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mediu iku në SHBA, ditën kur u thirr në Prokurori”

Fatmir Mediu është larguar në një udhëtim drejt Amerikës pikërisht në ditën kur Prokuroria e Përgjithshme ka firmosur thirrjen në adresë të tij për t’u paraqitur dhe për të dëshmuar si person në hetim për tragjedinë e Gërdecit. 

Trazhgim Sokolaj

Më 20 gusht 2008 pas disa konsultimeve të grupit hetimor, organi i akuzës ka firmosur fletëthirrjen në adresë të ish-ministrit të Mbrojtjes, por për koincidencë, pikërisht atë ditë ai ka udhëtuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arsye private. Pavarësisht largimit të ish-ministrit Mediu në SHBA, Prokuroria ka arritur të sigurojë një firmë në fletëthirrjen që u është dorëzuar të afërmve të tij në Tiranë, çka ligjërisht argumenton se Mediu ka marrë dijeni për kërkesën e Prokurorisë. Nga burime të hetimit mësohet se është konfirmuar paraqitja e ish-ministrit për të dëshmuar në Prokurori, por kjo do të ndodhë në fillim të shtatorit, ndoshta në ditën e parë të këtij muaji, për shkak se Mediu kthehet nga udhëtimi në Amerikë, pikërisht më 30 gusht 2008. Prokuroria ka përfunduar hetimin rreth deklaratave dhe mospërputhjeve mes të ardhurave dhe pasurive që zotëron ish-ministri i Mbrojtjes. “Në këtë drejtim nuk janë konstatuar probleme që bien ndesh me ligjin”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, kryetari dhe deputeti pa imunitet i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është person në hetim për akuzën “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Shpërthimi i fabrikës ku kryhej çmontimi i predhave të artilerisë së rëndë luftarake, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e mbi 300 të tjerëve, dëmtimin e 5 mijë banesave dhe një dëm financiar që llogaritet në rreth 20 milionë euro. Si pasojë e shkeljes së rregullave të çmontimit, mesditën e 15 marsit 2008, fabrika e ngritur mbi ish-repartin e tankeve në Gërdec u përfshi nga flakët, ndërsa rreth 700 tonë barut i grumbulluar në kontejnerë, plasën në një shpërthim katastrofik të aktivizuara prej predhave të ndezura që pas aktivizimit fluturuan çrregullt në zonën e banuar. Mbi 20 shkelje administrative dhe ligjore të pretenduara nga Prokuroria, dyshohet se janë kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes Mediu në rastin e Gërdecit. Ato fillojnë me caktimin e kësaj zone për çmontim pa këshillim me strukturat e ushtrisë, mungesën e kontrollit, mungesën e kushteve të sigurisë, favorizimin e kompanive private që kryenin çmontimin dhe lejimin e punësimit të të miturve në punën e përditshme me predhat e rrezikshme. Prokuroria pritet të mësoje prej Mediut nëse ai ka qenë i informuar konkretisht për atë që ndodhte në Gërdec, transportimin atje të sasive të mëdha të municionit, kryerjen e çmontimit jashtë të gjitha kushteve të sigurisë dhe një sërë problemesh të tjera teknike dhe ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›